“Isha i bindur se do shënoja me Egnatian”, Kaçorri: Dinamo ka identitet, pse mos e tentojmë titullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 4, 2024 | 9:02

“Isha i bindur se do shënoja me Egnatian”, Kaçorri: Dinamo ka identitet, pse mos e tentojmë titullin

Zabërgja kroson bukur nga e djathta dhe me kokë e “zhyt” Kaçorri në rrjetë. Ky ishte goli i barazim që i dha Dinamos një pikë nga transferta e Egnatias. Në një intervistë për “Panorama Sport”, sulmuesi i bluve flet për golin, por edhe për ecurinë e ekipit.

F.Hazisllari

F.Hazisllari

Kaçorri, shënuat duke i dhënë 1 pikë në transfertë Dinamos, si ndihesh?

Jam i lumtur për golin dhe faktin që dolëm me pikë kundër Egnatias e cila na kishte mundur në dy takimet e para. Isha i bindur që do të shënoja dhe fatmirësisht mundëm të dilnim me pikë në një fushë të vështirë. Rrogozhinasit janë një skuadër që të imponon lojë dhe ka kualitet që mund të të bëjë keq në çdo moment. Kishim marrë masat dhe mendoj që bëmë një ndeshje pozitive ku patëm shanse për të fituar edhe pse u gjendëm në disavantazh në fillim të pjesës së parë. Reaguam mjaft mirë duke treguar forcë karakteri edhe pse e dinim që Egnatia ishte e uritur për pikë.

Në tërësi ashtu siç shkoi loja, fituat një pikë apo humbët dy?

Duke qenë se u gjendëm në disavantazh, gjykoj se barazimi ishte rezultati më i drejtë. Por, me atë që dhuruam në fushën e lojës mund të kishim dalë me pikë të plota. Gjithsesi një pikë kundër Egnatias në transfertë nuk janë pak, aq më tepër që vinim nga një humbje me Vllazninë. Tani është momenti për të parë nga ndeshja e radhës. Gjykoj se jemi në rrugën e duhur edhe pse nuk e nisëm mirë kampionatin, skuadra ka krijuar identitet dhe qëndrueshmëri.

Cili është objektivi real i Dinamos këtë sezon?

Fillimisht ne synojmë të jemi në zonën e “Final 4” pas 36 javëve kampionat. Kjo skuadër është ndërtuar për të fituar dhe ne do të bëjmë gjithçka që të tentuar titullin. Kemi kualitet dhe shanset tona që duhet t’i shfrytëzojmë në maksimum për të bërë krenar veten dhe njerzit që na rrethojnë. Situata në klub është e mirë dhe shoh te të gjithë shokët e skuadrës uri dhe dëshirë për të bërë mirë. Na duhet përkushtim dhe vëmendje në 10 takimet e fundit pasi për ne do të jenë 10 finale.

Sa e lehtë është për ju që të shënoni kur ke partner në sulm lojtar si Zabërgja, Vila dhe Deninson?

Për të qenë i sinqertë jam me fat që luaj me këta emra të cilët ma bëjnë punën më të lehtë. Zabërgja dhe Vila janë shumë të shpejtë dhe asistojnë shpesh nga krahët, thjesht duhet të gjendesh në vendin e duhur për ta dërguar topin në rrjetë. Por, edhe Deninson është një lojtar i cili vrapon pafund dhe është asfiksues në duelet një për një. E theksova edhe pak më lart, Dinamo ka kualitete ndaj edhe synojmë të shkojmë larg këtë sezon.

Këtë javë luani me Teutën, çfarë do të synoni nga kjo përballje?

Me Teutën luajmë një nga 10 finalet tona dhe sigurisht që do të jetë e vështirë edhe për faktin që luajmë me një ekip e cila ndodhet në një pozicion që i duhet patjetër pikët. Nga ana tjetër edhe ne kemi në këtë fazë të kampionatit nevojë për pikë të vyera. Do të synojmë të rikthehemi te fitorja pasi vetëm kështu do të jemi afër objektivit për të qenë në një hap me rivalët tanë.

ISA HALILI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"