Ish-trajneri Baballëku: Lushnja ia del, Flamurtari i fushës është ndryshe nga ai i deklaratave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 13, 2024 | 16:43

Ish-trajneri Baballëku: Lushnja ia del, Flamurtari i fushës është ndryshe nga ai i deklaratave

Nëntë javë para përfundimit të kampionatit, Lushnja ndodhet e pozicionuar në vendin e tetë të renditjes me 27 pikë. Një pikë në tri ndeshjet e fundit i ka larguar verdhejeshilët nga zona e “play off”-it, që tashmë janë minus 8 pikë nga Apolonia dhe Korabi.

LUSHNJA

Gjithsesi, në dispozicion të skuadrave janë edhe 27 pikë dhe lushnjarët besojnë te ndryshimi i situatës në tabelë për vazhdimësinë. Për “Panorama Sport” ish-trajneri i Lushnjës, Ramadan Baballëku, tregoi se cili është problemi i skuadrës që duhet rregulluar për vazhdimësinë.  “Skuadra ka një lëvizje në kahun e duhur, që është pozitive. Problem mbetet mbajtja e rezultatit. Ka ndodhur disa herë me Lushnjën, që nuk arrin dot të mbrojë rezultatin. Ky është problemi kryesor, pasi kemi lënë pikë që nuk duhet t’i linim. Tani sa vijnë dhe vështirësohen gjërat, edhe situata po ashtu.

Kalendari nuk është në favorin tonë, megjithatë duhet optimizëm sepse nuk ka gjëra të paarritshme. Nëse ke optimizmin brenda ia del. Situata nuk është komode dhe nuk është shumë e përshtatshme për vazhdimësinë. Duhet vlerësuar maksimalisht dhe duhet angazhim në gradën sipërore. Lushnja nuk është në pozicionin që meriton, kjo edhe për faktin se kanë bërë gabime rrugës dhe janë lënë pikë që mund të rezultoni vendimtare tashmë. Verdhejeshilët nuk duhet të dalin pa pikë nga Vlora. Flamurtari i deklaratave është tjetër, dhe ai i fushës tjetër gjë.

Treguesit në këtë të fundit nuk përputhen me deklaratat. Me lojë jemi në rrugën e duhur, por me pikë nuk jemi aty ku meritojmë. Nuk jemi në një pozicion të favorshëm në kalendar. Janë katër ndeshje që na duhen pikë në mënyrë sistematike, duke filluar nga kjo e radhës me Flamurtarin”, deklaroi ish-trajneri i Lushnjës, Ramadan Baballëku.

ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"