Ish-sulmuesi i Skënderbeut, Xhambazi: Tragjedia e Duamenës, një peshë e rëndë për të gjithë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2023 | 20:19

Ish-sulmuesi i Skënderbeut, Xhambazi: Tragjedia e Duamenës, një peshë e rëndë për të gjithë

“Rikthimi në një aktivitet normal do të jetë pesha më e madhe për të gjithë futbollistët në Kategorinë Superiore, në veçanti për ata të Partizanit dhe Egnatias”. Ky është mendimi i ish-sulmuesit legjendar të Skënderbeut, Dhimitraq Xhambazi. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai bën me dije se ana psikologjike e lojtarëve është e rënduar dhe trauma që la pas vdekja e Rafael Duamenës, nuk mund të quhet e kaluar.

XHAMBAZI

Sipas Xhambazit, ngarkesë emocionale kanë edhe lojtarët e tjerë që janë përfshirë në këtë garë. “Të bashkuar me dhimbjen e klubit Egnatia dhe ta afërmve të Duamenës, i shpreh fillimisht ngushëllimet më të sinqerta. Të flasësh për futboll dhe aq më tepër t’i rikthehesh fushës, do të jetë një peshë e rëndë psikologjike dhe emocionale për gjithkënd në Kategorinë Superiore, e mbi të gjitha për ekipin e Egnatias. Por, normalisht aktiviteti duhet të rifillojë, pasi ky është cikli i jetës. Do të jetë e vështirë të harrohet ai moment për lojtarët që ishin në fushë dhe ndeshja më e vështirë e jetës për Egnatian dhe Partizanin, është që të përfundojnë atë 90-minutësh.

Vështirësi do të ketë edhe tek ekipet e tjera, të gjitha që janë në garë. Shpresoj që të kalohet sa më shpejt ky ngërç psikologjik që është normal, pasi ishte një ngjarje shumë tragjike që preku çdo njeri. Është e vështirë edhe për ne specialistët dhe për gjithë opinionin sportiv”, ka thënë fillimisht Xhambazi, duke iu rikthyer edhe një herë asaj çfarë ndodhi me të ndjerin ganez, Duamena.

SKËNDERBEU – Ish-sulmuesi komentoi edhe situatën tek Skënderbeu. Xhambazi është i bindur kur deklaron se cilësia dhe volumi i lojës tek korçarët, të jep besimin se ekipi do t’i rikthehet rezultateve pozitive. “Skënderbeu, përtej rezultateve në javët e fundit, mund të them se është një ekip që po prodhon lojë. E pamë një gjë të tillë ndaj Tiranës, që është një kundërshtar shumë i fortë dhe ka objektiva madhorë. Por, diferencat në fushë nuk u dukën në asnjë moment, madje Skënderbeu i dominoi.

Mungesa e fitores mendoj se nuk duhet t’i shpërqendrojë apo t’i ngarkojë me presion lojtarët, pasi gjithçka flet pozitivisht dhe pikët do të vijnë. Skënderbeu po kalon një moment të mirë, lojtarët po tregojnë se kanë shumë cilësi dhe ajo që është më kryesorja, gëzojnë një formë fizike të lartë, që nuk e kam parë tek asnjë ekip tjetër i Superiores. Për këtë arsye, mendoj që rikthimi tek rezultatet maksimale, do të vijë që në ndeshjen e radhës ndaj Teutës në kampionat. Mjafton që skuadra të jetë e qetë dhe të mos ngarkohet apo të ndikohet emocionalisht nga mungesa e fitores”, përfundoi prononcimin Xhambazi, i cili është një ikonë e futbollit korçar të viteve ‘70-‘80.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"