Ish-sulmuesi i Partizanit: Koha për skarcime tek Partizani, klubi duhet të mendojë për sezonin e ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 6, 2017 | 22:26

Ish-sulmuesi i Partizanit: Koha për skarcime tek Partizani, klubi duhet të mendojë për sezonin e ri

Ish-sulmuesi i Partizanit, Edmond Dosti, mendon se drejtuesit duhet të nisin që tani punën për sezonin e ri, në mënyrë që të krijojnë një ekip kualitativ për të fituar titullin kampion dhe të jenë të suksesshëm në Europë.

Gjatë intervistës së tij të dhënë për “Panorama Sport”, Dosti pohoi se ka ardhur koha që disa nga lojtarët të përshëndeten me Partizanin. Sipas tij, skuadra ka nevojë të përforcohet në çdo repart dhe ta nisë projektin me një trajner shqiptar, i cili duhet të ketë kontratë dyvjeçare. Në fund ka edhe një këshillë për Jurgen Bardhin.

Edmond Dosti - Genc Tomori

Dosti, jo vetëm si ishlojtar, por edhe si dashamirës, gjithnjë keni qenë një nga kritikët e pakompromistë sa i përket ecurisë së Partizanit. Prej disa kohësh kemi vënë re se mungojnë komentet apo kritikat tuaja, ndaj do t’ju pyesja: A e keni ndjekur skuadrën gjatë kësaj periudhe pas ndryshimeve në stolin drejtues?

Dashuria ime për Partizanin ka qenë gjithnjë e pakompromistë. Kritikat i kam bërë se i dua të mirën ekipit të zemrës dhe jo për ndonjë përfitim personal. Besoj se kritikat e mia në fillim të sezonit dolën të gjitha të vërteta, ndaj që këtu del se nuk kam asgjë tendencioze në ato që them. Ndonëse jetoj larg Shqipërisë, mundohem që të shikoj çdo ndeshje të Partizanit.

Ndaj edhe këto ndeshjet e fundit i kam ndjekur dhe shikoj disa përmirësime. Gjithsesi, është ende herët për të dalë në përfundime, pasi duhet që të mbyllet cikli i përballjes me të gjithë kundërshtarët në fazën e dytë. Po marr shembull ndeshjen me Lushnjën, ku ekipi u mundua, por fitoren ia bëri më të lehtë edhe kundërshtari. Pas golit, lushnjarët sikur u dorëzuan.

Po ndonjë ndryshim shikoni në ekip pas ardhjes së Starovës?

Unë vazhdoj t’i qëndroj mendimit tim qe te Partizani duhen bërë shumë ndryshime, madje që në merkaton e janarit. Ndryshimet duhen bërë në funksion të sezonit tjetër, pasi aktuali ka shkuar. Unë mendoj se ka ardhur koha që disa lojtarë të ekipit duhet të përshëndeten me Partizanin. Pjesa e dytë e sezonit aktual duhet të jetë në funksion të edicionit të ri, ku duhet formuar ekip për kampion dhe Kupat e Europës. Pra, pjesa e dytë e këtij sezoni duhet të shërbejë si një mundësi harmonizimi për skuadrën e ardhshme.

Edmond Dosti

Meqë flisni për një projekt të ri, a i duhet besuar një trajneri të huaj apo shqiptar?

Personalisht jam për trajner shqiptar, pasi edhe ekipi ka pasur më shumë rezultate me vendësit se të huajt. Gjersa kanë risjellë Starovën në drejtim, nëse drejtuesit janë të prirë vërtet për ndryshim pozitiv, në janar trajneri duhet të firmosë një kontratë, të paktën dyvjeçare që të nisë projektin fitimtar si në futbollin vendës, por edhe në Europë. Ta harrojnë këtë sezon, pasi Skënderbeu nuk ka rivalë në Shqipëri. Skuadra korçare me atë që po tregon këtë sezon si në kampionat dhe në Europë është një shembull për t’u ndjekur nga të gjitha klubet shqiptare.

Sipas Dostit, ku duhet të ndërhyjnë drejtuesit në merkaton e janarit, ose thënë ndryshe cilat janë pozicionet që duhen përforcuar?

Ndryshimet për mirë i duhen çdo ekipi, por Partizani i ka të nevojshme të paktën 4-5 afrime cilësore në janar. Përveç portës, që e shikoj të konsoliduar, Partizani ka nevojë për përforcime në çdo repart. Sulmi i këtij edicioni është katastrofë, gjë të cilën e vërtetojnë edhe golat e shënuar. Drejtuesit duhet të jenë shumë të kujdesshëm, pasi nuk duhet të dështojnë si në të shkuarën me afrimet. Madje, duhen afrime të studiuara, që të jenë në funksion të sezonit të ardhshëm, ku duhet fituar titulli kampion dhe të bëjnë një paraqitje pozitive në Kupat e Europës.

Pas ndeshjes me Lushnjën, Starova pohoi se dy sulmuesit e skuadrës së tij, Progni dhe Bardhi, janë më të mirët në Shqipëri. Ju si e komentoni këtë deklaratë të trajnerit?

Detyra e çdo trajneri është që të mbrojë lojtarët e tij dhe me deklaratat e tij mundohet që t’i mbështesë ata dhe t’i ngrejë në aspektin psikologjik. Ndaj, në këtë aspekt, e shikoj deklaratën e Starovës, të cilit, përveç përgatitjeve në fushë, i është dashur që të punojë edhe psikologjikisht me lojtarët për të harruar startin e keq. Sa i përket sulmit, besoj që edhe vetë Starova e di se nuk ka.

Partizani

A mendoni se kjo periudhë do t’u vlejë edhe futbollistëve të rinj, si dhe a duhet t’u besojë më shumë Partizani atyre për t’i pasur edhe për të ardhmen?

Afirmimi i elementëve të rinj i jep të ardhme çdo ekipi dhe shikoj se edhe Partizani ka nisur t’u japë hapësirë disa të rinjve. Në këtë rast duhet të veçoj Bardhin, i cili për mua është një lojtar i talentuar, por cilësitë e tij duhet t’i vërë në funksion të ekipit. Një këshillë miqësore do t’i japë atij si lojtar, që të mos përfundojë si një tullumbace e shfryrë. Siç thotë populli, shikoj se i janë “rritur pak veshët”.

Në futboll nuk mund të shpërthesh si individ. Vërej se ai e mban shumë topin dhe nuk shërben për shokët. Me atë lojë, ai nuk ka për të bërë përpara si individ, por edhe ekipin nuk e ndihmon. Mendoj se ai lojtar ka nevojë për një usta të fortë, ku nuk kursyer edhe tërheqja e veshit. Është gjynah që ai të digjet, pasi e shikoj si një lojtar me potencial dhe të ardhme.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"