Ish-presidenti i Prishtinës, Ejupi: Lojtarë si Zhegrova në Kosovë dalin një herë në 40 vjet, Barezi më tha se ai është pasuri kombëtare për ne

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 28, 2023 | 20:35

Ish-presidenti i Prishtinës, Ejupi: Lojtarë si Zhegrova në Kosovë dalin një herë në 40 vjet, Barezi më tha se ai është pasuri kombëtare për ne

Remzi Ejupi i ka dalë në mbrojtje ish-futbollistit të tij te FC Prishtina, Edon Zhegrovës. Ylli kosovar së fundmi mbeti jashtë Përfaqësueses së Kosovës dhe u bë një çështje për shkak të deklaratave që dha në muajt e fundit. Ai mbeti jashtë “Dardanëve” në ndeshjet e fundit.

ejupi

Ish-presidenti i Prishtinës ishte ai që e shtyu përpara lojtarin qysh në moshën e adoleshencës, për ta bërë një karrierë të suksesshme në Europë.

“Në atë kohë, bashkë me anëtarin e Bordit të klubit, Sinan Vllasaliu, u takuam me presidentin e skuadrës së njohur belge, Standard, z. Roland Duchatelet, përmes së cilit ua mundësuam të shkonin në prova lojtarët si Edon Zhegrova, Emir Sahiti, Liridon Latifi e Lorik Aliu”, thotë Ejupi.

Ejupi I ftuar në emisionin “Favorit” shprehu shqetësimin e tij për trajtimin që po i bëhet futbollistit të Lilës, i cili aktualisht është lojtari më në formë i Kosovës. Për mediat kosovare presidenti më i suksesshëm në futbollin kosovar shprehet se në Federatën e Futbollit të Kosovës ka probleme edhe më të thella sesa ai me Zhegrovën.

“Ky është një dëm jashtëzakonisht i madh. Rasti i Zhegrovës tregon se aty nuk ka atmosferë, aty nuk ka harmoni, aty ka probleme shumë më të thella sesa Zhegrova. Kur ka qenë te Prishtina, Edoni më duket ka qenë 14 vjeçar, dhe në atë kohë ishte organizuar ‘Milan Junior Camp’ në Kosovë nga i madhi dhe legjenda italiane, Franco Baresi, me një grup tjetër ish-lojtarësh të mëdhenj të klubit. Ai u vonua për të ardhur në atë kamp, por në fund iu bashkua këtij grumbullimi. Pas një jave erdhi vetë Barezi dhe më tha: ‘shikoni, këtë 14 vjeçar e keni pasuri kombëtare, ruajeni, trajtojeni, mbajeni mirë se është pasuri kombëtare”, u shpreh  fillimisht ish-presidenti i Prishtinës.

zheg

“Zhegrova është lojtar që do ta kemi vështirë ta bëjmë prapë. Ai është lojtarë që në Kosovë lind një herë në 40 vjet. Është lojtar që nuk bëhet brenda ditës. Këtë lojtar nuk e ka bërë as Franca, as Belgjika, është bërë këtu. Duhet t’i vlerësojmë edhe trajnerët tanë. Ky ka dalë nga trajnerët kosovarë. Ky në Kosovë ka punuar para se të dilte jashtë”, shton Ejupi.

“Ndoshta Zhegrova është pak i llastuar, por me gjithë kualitetin dhe punën që e bën dhe që e ka, prapë i arsyeton. Është super-djalosh, pjesë e një familjeje shumë të mirë. Në atë kohë patëm kontribuuar në lëvizjen e tij të parë me gjithë lojtarët tjerë në Belgjikë, e prej Belgjikës në Zvicrës, e prej Zvicrës më pas shkoi në Francë… Mua më dhimbsen Zhegrova, Rashica, Muriqi… pasi prej kur e kemi humbur ndeshjen në Maqedoni, e kemi marrë teposhtëzen”, vazhdoi ish-kreu i klubit kryeqytetas, i cili e vë gishtin te krerët e FFK-së për dështimet e Përfaqësueses.

“Krejt kjo gjeneratë po digjet. Të gjitha shtetet e ish-Jugosllavisë janë kualifikuar, përpos Kosovës. Falë Kosovës u kualifikua edhe Maqedonia. Ne duhet ta qajmë atë rast të lëshuar, duhet ta qajmë faktin se a mund të na përsëritet më kjo mundësi me këta drejtues që janë duke e udhëhequr Federatën për momentin. Një lojtar siç është Zhegrova me humb dhe mos me qenë në ndeshjet që i zhvilluam në muajt e fundit, kjo është një porosi e keqe për lojtarët e tjerë, për prindërit e tjerë, edhe këta brenda Kosovës, por edhe për ata jashtë, para përzgjedhjes që duhet ta bëjnë. Duhet të merren masa”, nënvizoi ai.

Ejupi tutje shton se njerëzit që kanë dhënë para në futbollin kosovar sot janë më të nënvlerësuarit dhe njerëzit s’janë aspak falënderues ndaj tyre, mbi të gjitha FFK-ja.

ejupi cana

“Nëse nesër do të mbahen zgjedhjet në Federatë, çdo javë do t’i fitonte kryetari aktual me sistemin se si shkojnë zgjedhjet. Mendoj se një pjesë të përgjegjësisë e mbajnë edhe klubet. Për fat të keq klubet janë në asi gjendje të keqe financiare, pothuajse shumica e tyre. Financuesit e klubeve janë pothuajse njerëzit më të pavlerësuar. Mund të them se janë mbi 300 milionë euro që janë shpenzuar, sa ka harxhuar një Feronikel, një Llap, një Gjilan, një Hajvali e tjetri e tjetri. Duhet të kenë respekt njerëzit e Federatës dhe të tjerët për këta njerëz që e kanë mbajtur gjallë futbollin, e jo ti marrin si konkurrentë dhe si armiq të futbollit. Kush meriton meritë më të madhe sesa ata që financojnë?”, shton tutje Ejupi.

A është ftuar nga FFK-ja në “Laureatët e Vitit”?

“Dua të më vlerësojë dikush që është i vlerësuar, e jo prej atyre që kanë shumë lëndë në gjykata, e një njeriu që është edhe i suspenduar nga UEFA e nga FIFA dhe nga lloj-lloj gjyqi. Këtu është shteti ai që duhet të marrë masa. Në çfarë gjendje është futbolli i Kosovës, ne jemi duke shkuar vetëm përfundi, më poshtë e më poshtë. Andaj, duhet të intervenojë dhe të marrë masa shteti, pasi klubet e kanë të vështirë, duke e pasur parasysh sistemin që është për momentin”, përfundoi Ejupi në “Favorit”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"