Ish-mbrojtësi Taho i përgjigjet Idrizit: Unë s’kam lekë, por më dhimbset klubi. Të ngrinin zgupthi për Flamurtarin…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 13, 2020 | 12:21

Ish-mbrojtësi Taho i përgjigjet Idrizit: Unë s’kam lekë, por më dhimbset klubi. Të ngrinin zgupthi për Flamurtarin…

Ish-mbrojtësi i shquar vlonjat, Rrapo Taho, i kundërpërgjigjet administratorit të klubit vlonjat, Sinan Idrizi, i cili e ftoi të kontribuonte duke dhënë lekë për Flamurtarin. Në bisedën për “Panorama Sport”, Taho thekson se Idrizi është keqkuptuar. Sipas tij, nëse do të ishin kohë të tjera, administrimin dhe drejtimin e klubit do ta merrnin legjendat vlonjate. 

rrapo taho-idrizi

“Unë mendoj se është keqkuptuar administratori Sinan Idrizi me atë që unë kam thënë. Nuk i kam thënë që do të japë lekë, sepse unë nuk kam, nuk jam biznesmen dhe nuk jam i pasur. I kam thënë që unë dhe shokët e mi, ish-futbollistë të shquar, jemi të gatshëm në çdo kohë që të ndihmojmë Flamurtarin me mendimet tona dhe me mbështetje teknike dhe morale, pa asnjë interes apo shpërblim financiar, thjeshtë se na dhimbset. Por Idrizi neve nuk na ka kërkuar asnjë ndihmë. Nuk e ndihmoj dot financiarisht se nuk jam paralli, por jam i gatshëm ta ndihmoj ndryshe. Nuk kam lekë, por kam zemër të madhe për atë ekip. Mua më dhimbset shumë stema e Flamurtarit, ngjyrat kuqezi. Më qan zemra për Flamurtarin që po bie nga kategoria dhe është në këtë situatë. Na kapi keq koha, pasi Flamurtarin do e merrnin ne: unë, Kreshnik Çipi, Sokol Kushta, Vasil Ruci dhe të tjerë, por çfarë të bëjmë, nuk është koha jonë kjo. Tifozlliku i dikurshëm ka vdekur, nuk jeton më, pasi nëse ai do të jetonte atëherë, ai nuk të lejonte që Flamurtari të ishte në këtë gjendje, se të ‘ngrinte zgupthi’, në kuptimin e mirë të fjalës”, është shprehur dje Taho. Ndërkohë, ish-kryebashkiaku Gjika ka refuzuar ti përgjigjet Idrizit përmes gazetës.

E.Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"