Ish-mbrojtësi i Flamurtarit, Taho: Situatë kritike, por shpresë më japin blerjet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 27, 2024 | 20:02

Ish-mbrojtësi i Flamurtarit, Taho: Situatë kritike, por shpresë më japin blerjet

Rrapo Taho e shikon në vështirësi Flamurtarin, por jo pa shpresë. Ia ka frikën shkëputjes së rivalëve dhe rrjedhimisht ngjitjes në Superiore. E megjithatë, pret që skuadra të mos dorëzohet para kohe. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, ish-mbrojtësi analizon me detaje edhe merkaton.

rrapo taho

Është optimist për blerjet e bëra dhe ndryshimit që ata do të sjellin.

Si e sheh Taho gjendjen e Flamurtarit?

Unë përgëzoj trajnerin Dritan Resuli, pasi ka marrë një Flamurtar në një situatë të vështirë. Është në gjendje kritike për momentin, por jo pa shpresë. Me çfarë kam parë dhe dëgjuar, po bën një punë bindëse me ekipin. Mendoj se duke ardhur edhe përforcimet besoj se do të ndryshojë situata.

Barazim në Fier. E shikoni një rezultat zhgënjyes?

Të them të drejtën, në ndeshjen me Apoloninë ekipi ynë ka dominuar. Nuk e di, por stafi pse ka pranuar ta luajë në aneks këtë takim? Duhet të luhej në stadium për mendimin tim.

Çfarë u këshilloni, si stafit ashtu edhe futbollistëve?

Djemtë duhet që t’i besojnë asaj fanelle që kanë veshur. Është një fanellë që ka peshë shumë të rëndë. Tifozët kërkojnë një Flamurtar ndryshe. Tani edhe unë flas si tifoz në këtë rast. Duke dëgjuar edhe opinionet jashtë, na lënë edhe ne pak… Na thonë ore çfarë po bëhet, pse Flamurtari kështu. Por kam bindjen se me këto blerjet tani me shpresë e kapim objektivin që kemi, ngjitjen në Superiore.

E shikoni të arritshëm këtë objektiv, kur ekipi renditet në vend të 4-t?

Të flas me sinqeritet, jemi pak larg. Duhet bërë një punë bindëse nga stafi. Megjithatë, janë edhe 14 ndeshje që fitohen nëse motivohen dhe futen në rrugë të drejtë.

A mund të arrihen Elbasani dhe Bylisi?

Unë e kam thënë edhe më përpara se Elbasani dhe Bylisi janë kundërshtarët kryesorë. Frikësohem pak se ata janë shkëputur disi. Por kampionati është i gjatë dhe se besoj se do të rikuperojmë këtë pjesë të mbetur, me qëllim që të arrijmë objektivin.

Të hënën luajnë me Besën. Çfarë pritet nga kjo ndeshje në shtëpi?

Çdo ndeshje është si finale. Duhet të futen në fushën e lojës për të fituar. Jemi larg me objektivin dhe nuk ka më kthim. Asnjë ndeshje nuk duhet të diskutohet dhe jo më ato që luhen në shtëpi, të cilat janë detyrë. Duhet të fitojnë për tifozët.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"