Ish-lojtari i Luftëtarit këshillon gjirokastritët: Novi është i duhuri, bëni kontrata 3-vjeçare

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 3, 2020 | 21:43

Ish-lojtari i Luftëtarit këshillon gjirokastritët: Novi është i duhuri, bëni kontrata 3-vjeçare

Bashkim Shameti ndien keqardhje për ecurinë e keqe të Luftëtarit. Ish-mbrojtësi i viteve 1970-1980, në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, këshillon klubin që të mos merret me atë që ka kaluar, por të ndërtojë një plan konkret për të ardhmen.
bashkim shameti

“Është koha të mendohet për vitin tjetër. Ky sezon mbaroi, të punohet për perspektivën. Në kontingjentin e të rinjve duhet punuar shumë seriozisht. Janë si hekuri i ngrohtë dhe duhet ‘rrahur’ sa është i nxehtë, ndryshe nuk e përpunon dot”, u shpreh fillimisht ish-mbrojtësi.

Më tej, ndalet te Neritan Novi dhe e quan vendimin e duhur që iu besua stoli një gjirokastriti. “Kam qenë partizan i trajnerëve të shkollës së Luftëtarit dhe jo i të huajve. Neritani është trajner i ri dhe me perspektivë dhe është i duhuri aktualisht. Ka vite që e njeh ambientin e skuadrës dhe di t’i motivojë lojtarët. Këtë e pamë në ndeshjen me Laçin, pavarësisht se u mundëm. Trajneri dhe ekipi ecin bashkë. Lojtarët e rinj Novi duhet t’i ‘mjelë’.

Si? Duke u bërë kontrata 3-vjeçare dhe jo 1-vjeçare. Me të rinjtë e afruar, kokrrat e mira s’mungojnë si dhe me aktivizimin e lojtarëve të akademisë vendëse, Luftëtari i ka mundësitë për t’u rikthyer në elitë. Ky sezon është libër i mbyllur”, përfundoi Shameti.

neritan novi

KËSHILLAT E NOVIT – Luftëtari ka “arkivuar” humbjen me Laçin dhe ka nisur prej ditës së djeshme përgatitjet për javën e 25-të. Skënderbeu është kundërshtari i radhës dhe të besuarit e Neritan Novit e kanë të qartë që do të jetë një ndeshje e vështirë. Trajneri u përqendrua jo vetëm në motivimin e grupit, por edhe në korrigjimin e komponentëve tekniko-taktikë. Në fokus ishte mbrojtja dhe jo se gaboi te golat e pësuar, por për të shmangur ndoshta situata të ngjashme si ajo ndaj kurbinasve. “Mos bini ‘pre’ e sulmuesve kundërshtarë, ruani gjakftohtësinë dhe mos hyni në panik. Secili të bëjë punën e tij, por mos harroni të dubloni shoku-shokun. Skënderbeu ka lojtarë të shpejtë, dhe ndaj duhet të mbyllni çdo hapësirë”, ishin këto disa nga udhëzimet e trajnerit për lojtarët e defensivës në seancën e djeshme.

Luftetari-Laci

Këshillat dhe udhëzimet kanë qenë për të gjithë grupin e plotë, si për mesfushorët dhe sulmuesit. Ushtrimet me një pasim, kontrolli i topit dhe dalja me shpejtësi në sulm ishin pjesë e “skenarit” të 90 minutave të djeshme. Luftëtari për ndeshjen e nesërme është i plotë, teksa nuk ka dëmtime dhe skualifikime në radhët e veta. Luftëtari në dy përballjet e këtij sezoni ndaj Skënderbeut ka siguruar një fitore në fazën e parë në shifrat 2-0. Në atë takim ekipi u drejtua nga Neritan Novi, i cili zuri vendin e trajnerit grek Jorgos Marantas. Dykohëshi mban “firmën” e sulmuesit Gresild Lika.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"