Ish-kapiteni vlerëson paraqitjen kundër Besës, Byzhyti: Lushnja nuk rrezikon, të vazhdohet puna me Maganin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 25, 2024 | 16:05

Ish-kapiteni vlerëson paraqitjen kundër Besës, Byzhyti: Lushnja nuk rrezikon, të vazhdohet puna me Maganin

Fitorja me Besën në shifrat 2-0 në “Roza Haxhiu” duket se ka sjellë pak frymëmarrje për Lushnjën, por vigjilenca dhe kujdesi kërkohen të jenë në gradën sipërore edhe në tri javët e mbetura, pasi matematikisht mbijetesa nuk është siguruar.

Byzhyti45

Lushnjarët do të luajnë një sfidë të rëndësishme të dielën, teksa i pret transferta e Burrelit në kuadër të javës së 31-të. Kjo do të jetë një përballje e drejtpërdrejtë me matjanët në garën për mbijetesë. Skuadra e drejtuar nga trajneri Gugash Magani do të kërkojë të ruajë diferencën me zonën e “play out”-it dhe të forcojë pozitat në vendin e shtatë. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ish-kapiteni i lushnjarëve, Alban Byzhyti, shprehet me optimizëm sa i përket mbijetesës: “Po shikojmë një kampionat të fortë dhe me rivalitet. Më pëlqeu insistimi i Lushnjës në ndeshjen me Besën. Nuk mund të bësh asgjë nëse nuk insiston. Pashë një Lushnjë këmbëngulëse, që i ‘gatoi’ dhe i shënoi golat me kujdes.

Patjetër që Lushnja ka një skuadër të mirë dhe i ka të gjitha mundësitë që të mos rrezikojë, por të vazhdojë me rezultate pozitive. Janë ndeshje të drejtpërdrejta dhe shumë të rëndësishme. Duhen marrë me radhë si transferta me Burrelin, ashtu edhe ndeshja në Lushnjë me Kastriotin. Unë besoj që ekipi i Lushnjës do ta kalojë me sukses këtë pjesë të fundit të kampionatit. Vlerësoj përpjekjet maksimale që po bën trajneri Magani, që Lushnja t’i fitojë këto takime të mbetura.

Futbolli është i vështirë, në një sezon rrezikon, ndërsa kampionatin tjetër je pretendent. Unë besoj shumë që Lushnja ta mbyllë me rezultate pozitive këtë sezon. Dëshiroj që trajneri Magani të qëndrojë te Lushnja edhe për vitin tjetër, për të kontribuar më shumë dhe për ta dërguar më lart skuadrën e verdhjeshile”, deklaroi ish-kapiteni i lushnjarëve, Alban Byzhyti.

ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"