Ish-kapiteni i Flamurtarit lëshon akuza, Sakaj: Gjykimi skandal, nuk janë gabime njerëzore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2023 | 17:00

Ish-kapiteni i Flamurtarit lëshon akuza, Sakaj: Gjykimi skandal, nuk janë gabime njerëzore

Artan Sakaj mendon se Flamurtari ka një skuadër të fortë dhe mund t’ia dalë që ta realizojë objektivin madhor. Edhe pse garën e quan të vështirë, ish-kapiteni i sheh kuqezinjtë në elitë. Gjatë një prononcimi enkas për “Panorama Sport”, ai evidenton edhe rivalët. Ndalet sigurisht edhe te gjykimi, që e cilëson skandaloz. E megjithatë, jep edhe një mesazh për lojtarët.

artan sakaj

ECURIA DHE RIVALËT – E ka ndjekur pak ekipin, por i ka mjaftuar për të kuptuar se ka “brumë”. “Për shkak të angazhimeve që kam pasur, e kam ndjekur pak Flamurtarin. Por më ka rastisur që ta shoh në ato ndeshje që kanë fituar. Më është dukur i fortë, që mund t’i marrë përpara skuadrat e tjera. E kam parë me Elbasanin dhe me Vorën, që janë dy kundërshtarë po aq të mirë. Gara do të jetë e vështirë këtë sezon sidoqoftë.

Në këtë kategori ka ekipe të mira, që edhe kanë investuar shumë. Ka shumë pretendentë, madje mund të përfshij edhe Apoloninë në këtë listë, ndonëse nuk është financuar aq sa në ekipe të tjera. E megjithatë, kanë një ekip që po bën paraqitje të mira dhe janë aty. Elbasani, Vora, Bylis, janë në këtë ‘valle’ po ashtu. Me këtë dua të them, që do të jetë një luftë e madhe deri në fund të garës. Janë ekipe që kanë hedhur miliona dhe që kanë objektivat e veta”, kështu e nisi fjalën e tij ish-mbrojtësi i djathtë.

GJYKIMI, KUNDËR – Mendon se historikisht gjykimi ka qenë kundër Flamurtarit dhe kjo gjë nuk mund të ishte ndryshe as këtë sezon. E quan skandaloze sjelljen e arbitrave dhe gabimet nuk i quan fort njerëzore. “Nuk duhet të bëhen personazhe arbitrat në këtë garë. Ne na mjafton që të shohim garën mes ekipeve. Nëse dëmton Flamurtarin në një ndeshje, kjo përkthehet me minus tri pikë dhe plus tri pikë për kundërshtarin. Ndikon në llogari. Është skandaloze që arbitrat vazhdojnë dhe sillen kështu. Kur Flamurtari dëmtohet, favorizohet një skuadër tjetër dhe kjo është shumë e qartë. Është e paimagjinueshme që çdo vit arbitrat bëjnë gabime ndaj Flamurtarit. Këto nuk janë as gabime njerëzore, por janë tipike nga ato që bëhen me dashje. Nuk po shikojmë as ndonjë masë pastaj. Duke u marrë masa ndaj gjykimeve, do të vendoset në shina edhe ky diskutimi i gjatë që bëhet. Thonë ‘gabim njerëzor’ dhe kalon. Jo, nuk shkon kështu”, thotë 42-vjeçari për këtë temë.

KËSHILLA PËR LOJTARËT – Në kushtet kur gjykimin e kanë kundër, ish-kapiteni këshillon skuadrën që të bëjë detyrën dhe të mos diskutojë asnjë kundërshtar në fushë. “Ju them që duhet të bëjë detyrën edhe ekipi tani. Nuk duhet të kapemi gjithmonë pas arbitrit. E kanë ekipin shumë të mirë dhe të mos diskutojnë kundërshtar, por të impenjohen dhe të japin maksimumin. Kjo është këshilla ime. Nuk është hera e parë apo çudi e madhe që Flamurtari i ka kundër arbitrat. Historikisht i ka pasur kundër. Kështu që skuadra tani të bëjë maksimumin në fushë”, përfundon Artan Sakaj, që si trajner ka drejtuar edhe Orikun për një periudhë 2-vjeçare.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"