Ish-futbollisti Ilir Muço: Flamurtari të përgatitet edhe për arbitrat, me Memushin të ngjitet në elitë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 15, 2024 | 21:50

Ish-futbollisti Ilir Muço: Flamurtari të përgatitet edhe për arbitrat, me Memushin të ngjitet në elitë

Ilir Muço është një nga lojtarët e brezit “të artë” të Flamurtarit që u përball edhe me Barcelonën. Edhe pse u detyruar që ta mbyll shpejt karrierën për shkak të një dëmtimi, Muço vijon të jetë i lidhur me skuadrën. Për “Panorama Sport”, ai shpreh keqardhjen për situatën në të cilën gjendet ekipi.

ILIR MUCO

“Është për të ardhur keq që me këta tifozë që ka Flamurtari të jemi ende në këtë nivel. Megjithatë, me trajnerin Eqerem Memushi po shohim një ndryshim rrënjësor. Ekipi ka ndryshuar pamje në të gjitha drejtimet, por duhet të shohim se si do të ecë. Ekipi mund të luaj 90 minuta presing, mund të luaj nga krahët, por ndonjëherë nuk e do edhe goli. Janë gjëra që ndodhin. Ekipi mund të futet me eufori në fushë. Ndaj Kastriotit ekipi arriti me lojë dhe rezultat që të bënim kthesën”, u shpreh fillimisht Muço.

LOJA DHE GJYKIMI. Ish-mesfushori mendon se skuadra duhet të ketë moral dhe karakter, si dhe duhet të përgatiten edhe për gjykimin kundër. Sipas Muços, sulmi i Flamurtarit po përgjigjet mirë. “Normalisht që gjykimi bënë pjesën e vet, por duhet morali i futbollistëve. Besoj se stafi teknik e përgatit ekipin për këto. Dihet që arbitri në çdo vend te botës, ndikon shumë. Me një apo dy të verdha nxjerr njërin jashtë. Ata prapë duhet që të jenë të përgatitur, sepse dëmtojnë ekipin.

Nëse marrin një të verdhë apo të kuq do të shkojnë të debatojnë me arbitrin dhe do të lënë skuadrën. E mira është që ata të bëjnë vetëm punën e tyre, të rrisin besimin dhe cilësinë sportive. Me ardhjen e Memushit, siç kam parë edhe në ndeshjet e tjera, ekipi ka ndryshuar shumë në të gjitha drejtimet. Po të shohësh luan në bllok, pastaj repartet shoqërojnë njëri-tjetrin, janë pranë. Sulmi jep më tepër rezultat edhe në gola, kanë një organikë shumë të mirë. Është edhe mënyra dhe fryma që ka futur Memushi në skuadër”, deklaron Muço.

DETYRA. Ilir Muço deklaron se detyra e kësaj skuadre është që ta kthejë Flamurtarin ku e ka vendin dhe kjo vjen në mënyrë graduale. “Futbollistët dhe stafi aktual duhet ta kthejnë Flamurtarin aty ku ka qenë. Si fillim, të paktën ta ngjisin në Superiore dhe ekipi të ketë këtë cilësi. Pastaj me kohën kuptohet që është më e vështirë të arrish në majë, siç ka qenë Flamurtari i dikurshëm. Por nuk është e pamundur. Unë mendoj se do të arrihen me punë dhe sakrifica edhe këto gjëra”, përfundon Muço.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"