Ish-futbollisti Haxhiu: Duheshin ca largime, Flamurtari ka luajtur më mirë se Elbasani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 29, 2023 | 22:04

Ish-futbollisti Haxhiu: Duheshin ca largime, Flamurtari ka luajtur më mirë se Elbasani

Saimir Haxhiu pret më tepër respekt dhe sakrificë në fushë nga futbollistët e Flamurtarit. Ish-futbollisti i cilëson të domosdoshme ndryshimet që ndodhën në pankinë, por edhe largimin e lojtarëve.

Saimir-Haxhiu

Në një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ai thotë se ka parë mungesë impenjimi në ndeshjet jashtë fushe. E megjithatë, beson fort te ngjitja. Nëse Bylisin e sheh një hap para, mendon se Elbasani nuk ka zhvilluar lojëra më të mira se kuqezinjtë…

Dritan Resuli në krye të Flamurtarit, mendoni se është zgjedhja e duhur?
Mendoj se është një vlonjat që e njeh mirë ambientin. Ishte një zgjedhje e mirë për menaxhimin e kësaj situate, në të cilën ishte dhe është skuadra, aq më tepër që ka drejtuar vetëm për pak kohë Flamurtarin dhe nuk pati mundësi të tregonte vlerat e veta në këtë kategori. Pastaj, nëse është e duhura si zgjedhje do ta tregojnë rezultatet dhe arritja e objektivit.

Çfarë nuk ka shkuar deri në momentin e ndryshimit të trajnerit?
E kam thënë edhe në intervista të tjera që te disa futbollistë pashë mungesë impenjimi në ndeshjet jashtë fushe. Aty ku kërkohet më tepër sakrificë. Po ta shikoni, aty i kemi humbur pikët, në Burrel, Ballsh dhe Vorë.

Janë larguar disa futbollistë, si e vlerësoni këtë gjë?
E kam ndjekur që janë larguar disa futbollistë. Këto janë vendime të klubit pas vlerësimeve të stafit teknik. Lojtarë që kanë qenë larg pritshmërive dhe kjo është një fazë që duhen liruar disa vende për t’u plotësuar me lojtarë më cilësorë për fazën e dytë. Edhe pse kjo fazë merkatoje është e vështirë për të gjetur lojtarë.

Është rikthyer Batha, por Idrizi ka premtuar dhe tri ose katër blerje cilësore… Çfarë këshilloni?
E mirëpres ardhjen e Bathës për eksperiencën e tij dhe cilësitë. Nëse do të jetë në formën e duhur sportive do ta ndihmojë shumë Flamurtarin. Idrizi, për hir të së vërtetës, nuk e ka kursyer dorën në merkato. Edhe në atë të verës dhe nuk është shpërblyer nga skuadra për këto investime. Afrimi në këtë merkato i lojtarëve cilësorë do ta ndihmojë sigurisht skuadrën për fazën e dytë. Por unë e kam theksuar edhe herë të tjera, që këta futbollistë duhet të jenë më të përgjegjshëm për fanellën që mbajnë veshur. Të sakrifikojnë më shumë dhe të justifikojnë ato para që marrin.

Ngjitet ky Flamurtar në Superiore?
Unë vazhdoj të besoj që ky Flamurtar do të ngjitet, nga fakti që ka vëmendje nga presidenca, por dhe cilësia e skuadrës. Rezultatet në fazën e parë kanë munguar. Kjo ka ardhur nga mungesa e karakterit të disa prej futbollistëve.

Cilët shikoni si rivalë të Flamurtarit?
Rivalët? përveç Bylisit që e shoh më të kompletuar, të tjerët janë aty-aty. Flamurtari ka zhvilluar lojëra më të bukura sesa Elbasani, që është gjithashtu pretendent. Skuadrat e tjera do të fillojnë të çedojnë. Ndeshjet direkt me Apoloninë dhe Elbasanin i shoh vendimtare për ecurinë, edhe pse besoj se do t’i kalojmë pozitivisht.

Si ish-anëtar i bordit, mendoni se janë pas me privatizimin e klubit, çfarë duhet të bëjnë?
Nuk kam informacion nëse në institucionin e Bashkisë Vlorë kanë filluar me procedurat e privatizimit. Por ajo që dua të them është se duhet vënë prioritet për ecurinë e futbollit në Vlorë.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"