Ish-futbollisti analizon ekipin pas barazimit në Vlorë, Sefa: Lushnja në rritje, por po shpërdoron shumë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 20, 2024 | 15:06

Ish-futbollisti analizon ekipin pas barazimit në Vlorë, Sefa: Lushnja në rritje, por po shpërdoron shumë

Xhavit Sefa, një ikonë e futboll verdhejeshil “skanon” Lushnjën. Ish-sulmuesi dhe ish-trajneri i Lushnjës, enkas për “Panorama Sport” shprehet se Lushnja mori një rezultat shumë të mirë në Vlorë, që do t’i shërbejë për pjesën e mbetur të kampionatit.

Xhavit Sefa, ish-trajneri i Lushnjës 10

“Unë dua të përgëzoj ekipin dhe trajnerin Magani për paraqitjen dhe rezultatin që morën në Vlorë ndaj Flamurtarit. Janë ndeshjet e fundit dhe të gjithë kërkojnë pikë, në çdo fushë dhe ndaj çdo kundërshtari. Skuadrat nuk kanë çfarë humbasin. Lushnja duhet të grumbullojë sa më shumë pikë. Besoj se barazimi në Vlorë do t’i shërbejë skuadrës, për të përgatitur fitoren në ndeshjen e radhës. Është momenti që Lushnja të rikthehet te fitorja. Ka luajtur shumë mirë në dy ndeshjet e fundit dhe e meriton të fitojë.

Meriton më shumë edhe për pjesën e mbetur të kampionatit, sepse është një skuadër që luan mirë. Skuadra duhet të ketë një probabilitet më të mirë midis rasteve të humbura dhe shënimit të golit. Është e kuptueshme, që jo çdo aksion përfundon në gol, por edhe shumë raste të humbura nuk duhet të ketë. Kundërshtarët janë të fortë dhe transfertat janë të vështira.

Korabi apo Flamurtari janë skuadra të forta. Por duke qenë më konkret para portës, ekipi merr rezultate edhe më të mira”, deklaroi ish-trajneri i Lushnjës Xhavit Sefa. Ndërkohë, lushnjarët po shfrytëzojnë periudhën e ndërprerjes duke vijuar me programin e tyre stërvitor. Skuadra e Maganit rikthehet në kampionat mesjavën e ardhshme, kur do të presë Vorën në stadiumin “Roza Haxhiu”.
ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"