Ish-administratori i shkodranëve: Vllaznia shpërdoron 1 miliard, vetëm për të siguruar mbijetesën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 6, 2017 | 20:26

Ish-administratori i shkodranëve: Vllaznia shpërdoron 1 miliard, vetëm për të siguruar mbijetesën

Kujtim Shaba është pesimist për Vllazninë. Ish-administratori evidenton një mori problemesh që prekin klubin, duke filluar nga drejtuesit dhe për të kaluar te lojtarët në fushë. Ai thekson se skuadra u ndërtua keq që në fillim, madje e cilëson të tepërt afrimin e disa mesfushorëve dhe u la në harresë mbrojtja dhe sulmi.

Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, ai thekson se ky ekip “fut ujë”, madje parashikon eliminimin ndaj Tiranës në Kupën e Shqipërisë. “Vllaznia është ndërtuar keq që në fillim të sezonit. Nuk ishte e nevojshme që të merreshin mesfushorë me shumicë dhe të dubloheshin. Lojtarët që kërkojnë një vend në formacion, natyrisht që do të kenë edhe pakënaqësitë e tyre. Por, kjo nuk është pozitive për një skuadër. Skuadra ka nevojë që të forcohet në të gjithë repartet, gjë që nuk ka ndodhur në Shkodër në startin e këtij kampionati.

Kujtim shaba

Ajo gjë të bie në sy është se kurrkush nuk merr përsipër bërjen e merkatos. Në kohën që unë kam qenë administratori i klubit dhe drejtor sportiv ishte Grima, ky i fundit merrej me afrimet e bëra dhe normalisht që në fund ka marrë edhe kostot e veta. Ndërsa sot nuk shikoj asnjë që të thotë ‘unë e bëra merkaton dhe mbaj përgjegjësitë’. Sot është një situatë që me sa duket as drejtori sportiv, aq më pak administratori dhe të tjerët të mbajnë përgjegjësi për Vllazninë”, ka thënë Shaba.

POZICIONIMI

Shaba ka folur me tone të larta jo vetëm për pozicionin që mban skuadra në tabelën e klasifikimit, por më tepër për dobësitë që shfaq në lojë. Ai ka vënë theksin te vështirësia që kuqeblutë kanë jo vetëm te shënimi i golave, por edhe te pësimi i tyre. “Renditja që kemi në tabelën e klasifikimit nuk është aspak pozitive. Për më tepër kur takimet e mbetura deri në fund të kësaj pjese të dytë të sezonit sa vijnë dhe vështirësohen. Ajo që nuk më ngroh fare është loja.

Asnjë prej reparteve nuk ka treguar vlerat, deri më tani. Madje, edhe mesfusha që ishte një nga repartet ku dhe pritej më shumë, është larg pritshmë- rie. I gjithë ekipi po ‘fut ujë’ në të gjithë drejtimet. Nuk kemi një skuadër me stabilitet në lojë. Me Flamurtarin është një takim i vështirë dhe nëse skuadra nuk tregon shpirt gare, është e vështirë që të fitohet. Sa i përket Kupës së Shqipërisë, jam i prerë: nuk kualifikohemi. Na mungojnë golat dhe skuadra nuk ka lënë takim pa pësuar gol. Nuk i kemi shënuar asnjë ekipi deri tani më shumë se dy gola”, theksoi Shaba.

kujtim shaba

FINANCAT

Ish-administratori i klubit të futbollit “Vllaznia” foli edhe për financat. Atij i duket absurde që shpenzohen afro 1 miliard dhe rezultatet mungojnë. “Në periudhën kur unë kam qenë në krye të klubit, ne kemi marrë nga bashkia jo më shumë se 180 milionë lekë të vjetër dhe pjesën tjetër e kemi nxjerrë përmes menaxhimeve të ndryshme. Ndërsa sot, Bashkia Shkodër mbulon me shifra marramendëse klubin.

Rezultatet mungojnë dhe, për më tepër, nga sezoni në sezon gjërat po përkeqësohen. Nuk ka logjikë që të shpenzohet afro 1 miliard lekë të vjetër dhe të jemi si mos më keq. Bashkia e bën punën e vet, por janë lojtarët dhe stafi që nuk bëjnë punën e tyre. E keqja për mua është se askush nuk mban përgjegjësi për gjendjen në të cilën ndodhet skuadra”, ka deklaruar ishadministratori Kujtim Shaba.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"