INTERVISTA/ Skuka: Më bëri mirë goli i parë, është ndryshe kur luan titullar. Me Kekon nuk u kuptuam… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 25, 2024 | 19:50

INTERVISTA/ Skuka: Më bëri mirë goli i parë, është ndryshe kur luan titullar. Me Kekon nuk u kuptuam… (E PLOTË)

Xhuliano Skuka është rikthyer të bëjë atë që di më mirë. Në ndeshjen e parë si titullar me Partizanin dibrani arriti të shënojë dhe të fitojë një penallti, në një moment mjaft kritik të ndeshjes ndaj Apolonisë.

skuka shehi

Pas fitores, dibrani foli për “Panorama Sport” rreth rrjetës së parë, ndeshjes së ardhshme ndaj Vllaznisë, por edhe rivalëve direkt. Dibrani shprehet se po punon fort për t’u kthyer në formën maksimale dhe për të qenë në dispozicion të Shehit me kapacitet maksimal.

Ndeshja e parë si titullar dhe shënoni në këtë rikthim. Nga ana tjetër kualifikoheni në çerekfinale. Sa i kënaqur jeni?
Kur futesh nga minuta e parë merr një ritëm krejt tjetër në krahasim me rastin kur aktivizohesh në pjesën e dytë. Më bëri shumë mirë ky gol, më lehtësoi për vazhdimësinë. Ishte një ndeshje e vështirë. Siç e patë nuk ka më ekipe të lehta, çdo ekip mund të të vërë në vështirësi. Çdo vit ekipet e Kategorisë së Parë kanë imponuar respekt dhe i kanë prishur punë shumë ekipeve. E dinim se duhej të bënim shumë kujdes. Jam i lumtur për golat, për penalltinë e fituar gjithashtu. Besoj se do të vazhdoj me këtë ritëm.

Në pjesën e parë e patët të vështirë të rrezikonit portën kundërshtare. Ku çaloi loja?
Po, e vërtetë që patëm një ngërç. Unë dhe Keko nuk u kuptuam në 2-3 raste në detyrat që na dha profesori, por besoj se në pjesën e dytë rikuperuam mirë.

Sa problem i shihni rastet e shumta të humbura nga Partizani?

Ky është një problem për të gjithë ekipet në fakt, jo vetëm për ne. Gjithë lufta bëhet që të shkojë topi në rrjetë, por besoj se me punë do të arrijmë t’ia dalim.

Besoni se do ta zgjidhni ju këtë problemin e finalizimit, sepse ndaj Apolonisë ia dolët mjaft mirë?

Të them të drejtën, normalisht që unë jam një forcë e shtuar për ekipin, por me sa kemi parë në ndeshjet e fundit, Mensah është në formën e tij më të mirë dhe duhet që edhe ai të vazhdojë të shënojë rregullisht dhe të na ndihmojë të ecim përpara.

Gjuajtjet nga çdo pozicion i mundshëm i keni instiktive, apo ka qenë ndonjë trajner që ka këmbëngulur t’i kryeni?

Besoj se kjo është detyrë e çdo sulmuesi. Çdo lojtar i këtij roli duhet ta ketë një aftësi të tillë, sepse çdo gjë bëhet për të tundur rrjetën. Çdo përpjekje atë ka si synimin final.

Me atë që treguat ndaj Apolonisë treguat se jeni kthyer në formën tuaj të zakonshme. Jeni gati ta nisni nga minuta e parë në Shkodër?

Stafi po punon shumë fort me mua, me nga dy seanca në ditë. Ndaj Apolonisë u ndjeva shumë mirë dhe besoj se sa më shpejt do të jem në formën time më të mirë fizike.

Kaloni në çerekfinale të Kupës. Sa i rëndësishëm është ky trofe për Partizanin?

Kupa është një prej objektivave të Partizanit. Ne futemi në fushë për të fituar çdo trofe. Kupa është një trofe më shumë për tifozët dhe klubin, njësoj si edhe kampionati.

Golin në Kupë e gjetët që me provën e parë. Besoni se do ta bëni “sefte” ndaj Vllaznisë të dielën?

Besoj se po. Shpresojmë!

Cilët besoni se janë rivalët e Partizanit në garën për titullin kampion?

Siç e thashë, nuk ka asnjë rival të dobët dhe të fortë. Por besoj se katërshja e parë është pak më e dukshme. Them për ne, Egnatian, Vllazninë dhe Tiranën.

“Loro Boriçi” ka qëlluar shpesh një stadium problematik për të marrë tri pikët. Do ta ndryshoni këtë traditë?

Ne futemi në fushë për të fituar çdo ndeshje besoj se do të arrijmë t’ia dalim.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"