INTERVISTA/ Musta: Flamurtari për Europë, duhet t’i mirëkuptojmë gjyqtarët…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2018 | 12:41

INTERVISTA/ Musta: Flamurtari për Europë, duhet t’i mirëkuptojmë gjyqtarët…

Emiljano Musta kërkon trofe me Flamurtarin. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, Musta deklaroi se ekipi po punon mirë dhe se shumë shpejt do të kthehen te rezultatet e pritshme. Lojtari nuk dëshiron të mendojë se gjyqtarët do të jenë kundër edhe këtë sezon. Musta thekson se ndeshja me Partizanin do të jetë e vështirë, por shpreson që edhe me pak fat Flamurtari të marrë tri pikët.

musta

Flamurtari i paqëndrueshëm në rezultate, pse?

Kemi pasur disa vështirësi për të pasur rezultate pozitive në vazhdimësi. Të them të drejtën, ekipi po punon fort që të kthehemi te rezultatet e kërkuara. Shpresoj ta bëjmë që javën tjetër kthesën.

E mendonit humbjen me Skënderbeun?

Kur luan një ndeshje normalisht që të tria rezultatet janë në lojë, pavarësisht se ne hyjmë në fushën e lojës vetëm për fitore si çdo ekip tjetër. Ashtu si shkoi ndeshja, mendoj se rezultati më i drejtë do të ishte barazimi.

Si e shikoni qëndrimin e gjyqtarëve në lidhje me Flamurtarin?

Duhet t’i mirëkuptojmë dhe gjyqtarët, pasi dhe ata janë njerëz si ne lojtarët. Edhe ata gabojnë, por nga pozicioni që kanë në fushë, gabimet e tyre ndikojnë direkt në rezultatet e ndeshjeve në shumicën e rasteve. Nuk mendoj se është diçka tendencioze ndaj nesh dhe shpresoj të mos jetë e tillë. Nuk dua ta mendoj këtë gjë, pasi në të kundërt nuk ia vlen të flasim për çfarë nuk shkon apo shkon në ekip.

Çfarë prisni nga ndeshja me Partizanin?

Do të jetë një tjetër ndeshje e fortë me një kundërshtar që është në vendin e parë në renditje. Ne luajmë në fushën tonë dhe kjo është një shtysë më shumë për të kërkuar fitoren. Shpresoj dhe fati të jetë në anën tonë.

A e kap Europën ky Flamurtar?

Besoj se kur të mbarojë kampionati do të jemi në mesin e ekipeve që do të shkojnë në Europë. Ka akoma shumë javë për të luajtur dhe vetëm fundi do e tregojë se ku do përfundojë ky Flamurtar.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"