Idrizi: Situatë fatale, sytë nga të rinjtë, gabuam në janar, përgjegjës edhe unë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 8, 2015 | 11:32

Idrizi: Situatë fatale, sytë nga të rinjtë, gabuam në janar, përgjegjës edhe unë

Sinan Idrizi

Sinan Idrizi nuk i kapërcen dot gjashtë humbje radhazi. Gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”, administratori i vlonjatëve e ka cilësuar të rëndë këtë situatë.

Sipas tij, kjo është e papranueshme për Vlorën dhe për vetë emrin e Flamurtarit. Idrizi thekson se asnjë nuk pajtohet me këtë gjendje dhe se lojtarët e Flamurtarit nuk duhej që të kishin arritur deri këtu për hir të qytetit që e ka traditë futbollin dhe peshës së fanellës.

Administratori i Klubit të Futbollit Flamurtari, Sinan Idrizi, nga ana tjetër, u ka bërë thirrje lojtarëve të rinj të skuadrës të bëjnë detyrën dhe të jenë me këmbë në tokë, ndërsa tha se, nëse ata do ta bëjnë mirë detyrën e tyre, sezonin e ardhshëm do të jenë një peshë e konsiderueshme e ekipit.

“Nuk gjej dot fjalë që të shpreh atë që ndiej. Gjashtë humbje radhazi është shumë e rëndë për Flamurtarin dhe për Vlorën. Asnjë nga ne nuk është mësuar me këtë Flamurtar. Ky nuk është ekipi që ne duam. Meqë jemi në këtë gjendje, dua t’u bëj thirrje edhe lojtarëve të rinj të akademisë që të ulin kokën dhe të punojnë, të jenë të aftë për këtë fanellë dhe të mos t’u hyjë vetja në qejf. Ne kemi si politikë që ta ringremë akademinë dhe të rinjtë do të jenë një pjesë e rëndë sishme e jona për sezonin e ardhshëm, ndaj ata nuk duhet që të na zhgënjejnë, duhet të jenë me ego që të ecin përpara”, tha Idrizi.

Arsyet e situatës

Gjatë prononcimit për “Panorama Sport”, administratori Sinan Idrizi theksoi edhe njëherë se ka dështuar me merkaton e janarit, ndërsa tha se nuk do të lejojë që një gjë të tillë ta bëjë edhe sezonin e ardhshëm. Për gazetën, ai tha se përgjegjësia bie mbi drejtuesit e klubit, stafin teknik dhe më pas te lojtarët. “Ne kemi dështuar. E kam thënë dhe e përsëris edhe njëherë. Jemi të dështuar që në janar. Populli thotë një fjalë të urtë: ‘peshku qelbet nga koka’, kështu ka ndodhur te ne. Përgjegjësia mbi mua dhe drejtuesit e tjerë të klubit, por edhe mbi stafin teknik, pastaj te futbollistët. Nuk kemi bërë merkaton që duhet të bënim, ndaj dështuam dhe dolëm nga objektivat. Këta lojtarë s’na kanë dhënë atë që ne prisnim dhe kjo për fajin tonë. Duhet ta korrigjojmë këtë gjë në sezonin e ardhshëm”, theksoi Idrizi.

 Pozitat e Ramelës

Ecuria jo e mirë e Flamurtarit dhe humbja e gjashtë radhazi kanë sjellë një situatë të turbullt edhe për stafin teknik me në krye trajnerin Ernestino Ramela. I pyetur për stafin teknik italian dhe trajnerin Ramela, administratori Idrizi tha se nuk ka lëkundje pozitash pa konsolidim, çka do të thotë se gjithçka do të shikohet në përfundim të sezonit. “Nuk ka lëkundje pozitash të trajnerit Ramela dhe stafit teknik pa konsolidim. Ekipi duhet të konsolidohet njëherë, pastaj të flasim për lëkundje pozitash. Gjithçka do t’i përkasë një tjetër etape. Të shikojmë njëherë se si do ta përfundojmë këtë kampionat dhe, pasi të bëjmë analizën, do të marrim edhe vendimet e duhura”, përfundoi Idrizi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"