Idrizi projekton ndryshime në staf

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 15, 2015 | 10:55

Idrizi projekton ndryshime në staf

Ramella, Idrizi, Behari ne prezantimin e trajnerit te riKy Flamurtar nuk e meriton të jetë në Kategorinë Superiore”, kështu shprehet administratori i Klubit të Futbollit Flamurtari, Sinan Idrizi. Gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”, në linjë telefonike nga Turqia ku gjendet për arsye pune, Idrizi ka shpërthyer në kritika dhe pakënaqësi ndaj ekipit. Sipas Idrizit, humbja me Apoloninë është kulmi i krizës, në një kohë që ekipi luajti me “senatorët”, por nuk bëri asgjë. G

jatë prononcimit të tij për gazetën, administratori i vlonjatëve ka ironizuar ekipin e tij edhe në rastin e golit, të cilin sipas Idrizit e bëri Ramela dhe jo ekipi. “Ky ekip është pa gjak”, thotë Idrizi, duke shtuar se Apolonia i dha Flamurtarit një leksion fanelle dhe shpirti. “Shtatë humbje radhazi është skandaloze! Nuk kam më fjalë se çfarë të them. Nuk janë fjalë emocionale këto që po them, por më dhimbset Flamurtari se nuk është as i imi dhe as i lojtarëve, por i Vlorës. Ky Flamurtar nuk është për në Superiore. Keqardhje për Apoloninë që rrezikon, por duhet të ishte Flamurtari që të binte nga Kategoria.

Kjo është e rëndë, por unë po e them. Nuk e meritojmë që me këtë ekip dhe me këta lojtarë të qëndrojmë në Superligë, nëse do të ishim në kushte të tjera, rënien nga kategoria e kishim të sigurt. Nuk ke se çfarë të flasësh më! Luajtëm edhe me senatorët, por ja se çfarë ndodhi. Apolonia u dha këtyre milionerëve të mi leksione fanelle dhe shpirti. Këta të mitë nuk kanë fare dashuri për fanellën e tyre, nuk kanë ndjenja fare. Madje, edhe golin me Apoloninë nuk e bënë ata, por Ramela. Ai i mësoi si ta bënin duke u folur gjatë gjithë kohës”, tha fillimisht Idrizi.

Të rrezikuarit Pas humbjes në Fier, vihet në rrezik edhe trajneri Ernestino Ramela dhe stafi teknik. Administratori Idrizi duket se nuk do të falë më, ndërsa bëri me dije se asnjë nuk e ka vendin apo pozicionin të sigurt te Flamurtari. “Do të rishikohet pozicioni i të gjithëve që nga stafi teknik, drejtuesit e klubit, te lojtarët dhe deri te punëtori i portës jashtë. Po tregohen amatorë të gjithë nga gabimet që po bëjnë. Përgjegjësinë e mbaj vetë i pari, kam dështuar. Nuk është ekip i denjë ky për në Superiore, ky është ekipi i çudirave. Nuk mund ta pranojmë këtë situatë. Asnjë nuk mund të tallet me Flamurtarin”, theksoi Idrizi.

E ardhmja Pavarësisht rezultateve negative gjatë këtyre javëve, administratori Sinan Idrizi deklaron se nuk largohet nga Flamurtari, por do ta çojë deri në fund projektin. “Unë nuk largohem nga Flamurtari. Do ta çoj deri në fund projektin që kam nisur. Nuk i lë në mes punët e mia. Lojtarët duhet ta kuptojnë se ajo çfarë nuk po bëjnë te Flamurtari është një faturë për ta, për të ardhmen dhe karrierën e tyre dhe jo për mua apo Flamurtarin, pasi projekti ynë është shumë i gjatë dhe unë do ta çoj atë deri në fund”, përfundoi Idrizi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"