Idrizi: Nuk pranoj moral nga prostitutat, ndeshjet i trukojnë presidentët, jo futbollistët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 22, 2015 | 12:09

Idrizi: Nuk pranoj moral nga prostitutat, ndeshjet i trukojnë presidentët, jo futbollistët

Sinan Idrizi

Sinan Idrizi nuk e ka kapërdirë dot vendi min e djeshëm të Komisionit të Etikës. Argumenti është i thjeshtë:

“Ndeshjet në Shqipëri i trukojnë presidentët dhe drejtuesit e klubeve, jo futbollistët”. Kjo është fraza e parë e administratorit të Flamurtarit, por jo më e buta…

“Prostitutat nuk mund të më japin leksione morali… Vendime të tilla janë si të marrësh leksion morali nga një prostitutë dhe unë këtë nuk e pranoj dot. Nuk mund të më fyejnë inteligjencën as mua dhe asnjë shqiptari tjetër që e di mirë se çfarë ndodh në futbollin e këtij vendi”, thotë ai për “Panorama Sport” nëpërmjet telefonit nga Turqia.

Zoti Idrizi, Komisioni i Etikës ju ka pezulluar portierin titullar Ilion Lika për manipulim rezultatesh në ndeshjet me Partizanin dhe Kukësin. Si e gjykoni këtë vendim?

Prostitutat nuk mund të më japin leksione morali…

Më falni, por po e ekzagjeroni pak me fjalorin…

Po, ndoshta po e ekzagjeroj dhe kërkoj ndjesë, por nuk mundem më. Jam shumë i revoltuar me këtë që ndodh. Ky është palaçollëk. Mjaft më! Vendime të tilla janë si të marrësh leksion morali nga një prostitutë dhe unë këtë nuk e pranoj dot. Nuk mund të më fyejnë inteligjencën as mua dhe asnjë shqiptari tjetër që e di mirë se çfarë ndodh në futbollin e këtij vendi.

Pse mendoni se vendimi i Komisionit të Etikës është i pamoralshëm?

Sepse në Shqipëri e dimë mirë se ndeshjet nuk kanë këllqe t’i trukojnë futbollistët. Ndeshjet këtu i trukojnë drejtuesit dhe presidentët.

Pse nevojitet një shou i tillë i shpëlarë dhe i pakuptimtë?!

Pse nuk kanë burrëri të merren me thelbin e problemit, por njollosin si t’u vijë për mbarë një klub apo një futbollist.

Etika mund të ketë pasur prova dhe argumente, pse jeni kaq i revoltuar?

Shikoni, unë i kam pranuar të gjitha kritikat që më kanë bërë për menaxhimin e klubit dhe për cilësinë e skuadrës që ndërtova. Kam dalë hapur dhe kam thënë me të madhe: dështova të ndërtoj një skuadër fituese dhe të menaxhoj si duhet ekipin. Por nuk mund të ma njollosin skuadrën me trukimet. Kurrë! Unë kam qenë i pari që e kam denoncuar trukimin publikisht këtë sezon. Jam i vetmi president që e kam çuar skuadrën time në prokurori edhe pas një fitoreje…

Po çfarë ndodhi më pas?

Asgjë… E hoqën dosjen nga Vlora dhe e çuan në Durrës… Pasi e çuan në Durrës, nuk na kanë thirrur kurrë… Pse normale ju duken këto?!

Ilion Lika në fakt është dënuar për dy ndeshje, por në njërën prej tyre nuk ka qenë fare në fushë, atë me Partizanin…

Po, kjo është një tjetër lajthitje, por është vetëm një nga gafat që është bërë. Na kanë goditur në pikën tonë më të fortë, që ka qenë portieri! Unë këtë nuk e pranoj dot.

Në ç’kuptim nuk e pranoni dot?

Shikoni, unë jam biznesmen. I shoh gjërat thjesht: investoj dhe pres të fitoj. Nëse nuk realizoj objektivin, kam dështuar. Këtë sezon te Flamurtari dështova, por nuk mund të ma njollosin klubin me gjëra që nuk kanë lidhje me pjesën sportive. Nuk mundet të bëjnë shou të tillë dhe të implikojnë në çdo formë Flamurtarin vetëm për ta bërë pis. Këtë nuk e pranoj kurrë dhe nuk kam për ta toleruar asnjëherë. Personalisht ua kam dhënë zgjidhjet edhe në të kaluarën, por askush nuk është bashkuar me mua, sepse dihet si funksionon futbolli në Shqipëri dhe dihet se çfarë duhet të bësh për të qenë fitues. Epo unë pjesë e kësaj nuk bëhem dot. Nuk kam qenë kurrë pjesë e pazareve dhe nuk do bëhem asnjëherë.

Përgatiti: ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"