Idrizi: Kemi lojtarë pa gjak, trajneri s’ka faj, ekip pa karakter, nuk di si të sillem

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 14, 2015 | 14:57

Idrizi: Kemi lojtarë pa gjak, trajneri s’ka faj, ekip pa karakter, nuk di si të sillem

Sinan Idrizi

Sinan Idrizi shpërthen kundër lojtarëve pas humbjes më të fundit ndaj Laçit. Administratori i Flamurtarit ka mbetur pa fjalë nga paraqitja e skuadrës, teksa i ka cilësuar futbollistët pa gjak dhe pa karakter. Gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”, dje në linjë telefonike nga Turqia, Idrizi thekson se në këtë situatë trajneri Ernestino Ramela nuk ka faj.

“Sinqerisht nuk kam se çfarë t’ju them për këtë situatë, jam pa fjalë, më kanë ikur. Nuk ka më vlerë asgjë tani, nuk di si të sillem dhe çfarë të bëj. Përgë- zoj Laçin për fitoren dhe për atë që dha në fushën e lojës. Ishte një ekip me dëshirë për të fituar dhe me karakter. Lojtarët e mi nuk e justifikojnë investimin dhe mbështetjen. Se çfarë kanë, se ku e kanë hallin, t’ju them të drejtën nuk e di se çfarë të them. Lojtarëve të Flamurtarit nuk kanë karakter. Nëse do të kishin gjak, do të silleshin ndryshe. Unë po punoj për të krijuar institucion, për të krijuar markën, por edhe për të krijuar struktura të mirëfillta, por këta ma shpërblejnë kështu. Për mua nuk ka ndeshje të lehta apo të vështira, por ka probleme me karakterin. Është e pafalshme dhe e pajustifikueshme që lojtarët e Flamurtarit, të cilët i kanë të gjitha të mirat dhe të gjitha kushtet, të shpërfytyrohen në këtë mënyrë. Këta nuk e ndiejnë fare peshën e fanellës, nuk u rrjedh pikë gjaku në vena. Më vjen shumë keq për tifozët, të cilëve po u dhemb shpirti. Nuk di se çfarë të them, e përsëris: jam pa fjalë”, u shpreh i zhgënjyer Idrizi.

Ramela

Administratori Idrizi “zhvesh” nga faji për këtë situatë trajnerin italian, Ernestino Ramela.

Ai e rikonfirmon Ramelën në stol deri në fund të sezonit.

“Besoj se nuk e ka fajin trajneri apo stafi teknik. Ramela ka mbështetjen tonë si klub dhe atë personale. Fajin në këtë situatë e kanë lojtarët. Trajneri po punon, por këtë brumë ka. Ramela është korrekt dhe punëtor, njeri shumë serioz, por nuk po i ecën me këtë skuadër. Nuk besoj se është në rrezik trajneri pas këtyre rezultateve, pasi lepuri fle diku tjetër. Ai me ne ka një kontratë deri në fund të sezonit. Sa i përket faktit që nuk prononcohet për media, dua të sqaroj se Ramela nuk ka për të dalë më në konferenca për shtyp. Ky është një vendim që ne, si drejtues të klubit, e kemi marrë, pasi nga disa gazetarë janë keqpërdorur fjalët e trajnerit apo ka pasur tendenca dashakeqëse ndaj tij”, bëri të ditur kreu i klubit.

Largime

Idrizi paralajmëron largime nga Flamurtari pas përfundimit të sezonit.

Për shkak të mungesës së rezultateve, por edhe për zhgënjimin në lojë, administratori thekson se do të ketë disa skarcime në maj.

“Pas kësaj situate aspak të mirë që po kalon ekipi, më duhet që në verë të shikoj qëndrimin me lojtarët. Më kanë zhgënjyer pa masë. Nuk di se si do të rrjedhin ngjarjet, por di t’ju them se do të ketë lojtarë që nuk do të jenë më pjesë e projektit tonë, pasi nuk po japin asgjë dhe nuk po prodhojnë lojë. Sot nuk mund të them se sa do të largohen, apo cilët janë ata që do të ikin, por një gjë është e sigurt: me këtë situatë, ku nuk po justifikohet investimi i madh, largimet janë të pashmangshme. Ne menduan se po ndërtonim ekipin për sezonin e ardhshëm, por kjo nuk po funksionon”, sqaroi Idrizi.

Përgatiti: ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"