Idrizi: Jo më merkato interneti, ç’na duhen më fitoret, nuk kanë më vlerë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 18, 2015 | 18:02

Idrizi: Jo më merkato interneti, ç’na duhen më fitoret, nuk kanë më vlerë

Sinan IdriziSinan Idrizi e pranon hapur se Flamurtari ka dështuar në këtë sezon. Administratori i vlonjatëve, gjatë një prononcimi telefonik për “Panorama Sport”, nga Milano e Italisë ku gjendet për arsye pune, tha se kjo situatë duhet që të jetë edhe një mësim, me qëllim që afrimet e reja sezonin e ardhshëm të mos bëhen nëpërmjet internetit, por të shikohen me kujdes, duke u marrë në provë.

Gjatë bisedës, Idrizi nuk ka lënë pas as ironitë për situatën e krijuar, duke theksuar se Flamurtarit tani që ka dalë nga objektivi nuk i duhen më fitoret. “Nuk ka se çfarë na duhen fitoret?! Nuk na hyjnë në punë jo, nuk kanë më vlerë. Nuk kam çfarë të them më tej. Nuk prisja fitore nga ky ekip për faktin se na ka zhgënjyer shumë. Çdo gjë tani ka mbaruar, nuk kemi më objektiva. Tani duhet që të punojmë për të ndërtuar ekipin për sezonin e ardhshëm, pasi dështuan këtë vit dhe unë sigurisht që e pranoj këtë dështim.

Natyrisht, kjo do të na bëjë më të përgjegjshëm edhe për të bërë merkaton e ardhshme të verës, duke qenë të kujdesshëm në realizimin e saj dhe duke zgjedhur me kujdes futbollistët. Dua të them se nuk duhet të zgjedhim më lojtarë që i shikojmë nga ‘YouTube’, por do të gjejmë të gjitha rrugët dhe mundësitë që të vëzhgojmë me kujdes lojtarët dhe t’i shikojmë nga afër me sy, përpara se të vendosim. Pra, lojtarët që do të jenë në të ardhmen te Flamurtari, duhet që më parë të kalojnë provën përpara se të vishen me fanellën tonë”, tha Idrizi. Të rinjtë Administratori deklaroi se e ardhmja e Flamurtarit në sezonin e ri do të jenë lojtarët e akademisë. Idrizi falënderon djemtë e rinj për shpirtin që dhanë në fushë në ndeshjen me Kukësin, ndërsa theksoi se ata janë të rikonfirmuar për sezonin e ardhshëm si pjesë e Flamurtarit. “Falënderoj pa masë djemtë e rinj të akademisë.

I përgëzoj pa përjashtim të gjithë. Ata janë tashmë e ardhmja jonë. Sytë i kemi kthyer tek ata. Këta djemtë do të jenë pjesë e projektit tonë në sezonin e ri. Kemi fituar shumë me ta. Fituam djemtë që luajnë me shpirt. I thashë Ardi Beharit të zbriste poshtë dhe t’i falënderonte nga ana ime. Përgëzoj Llambron, Zeqajn, Aliaj, Dudën, Gjinajn, pra të gjithë ata që derdhën djersën e tyre me shpirt për këtë fanellë.

U them të vazhdojnë kështu, pasi e ardhmja e kësaj fanelle me peshë u përket atyre. Këta djemtë të rinj do të jenë ata që do të kenë në dorë Flamurtarin dhe do ta çojnë aty ku e meritojnë, pasi janë ata që e ndiejnë më shumë se çdokush tjetër këtë skuadër, e cila u dhimbset shumë”, u shpreh Idrizi. Kalendari Pavarësisht rezultateve dhe daljes nga objektivat, administratori u bën thirrje lojtarëve që të luajnë me shpirt dhe ndershëm deri në fund. “Edhe pse kemi dalë nga objektivat, nuk do të jemi shtojcë e askujt, e kam thënë dhe e përsëris këtë. Nga ana tjetër, kërkoj që çdo kundërshtar të shikohet me seriozitet të madh dhe të luhet bukur dhe ndershëm”, përfundoi Idrizi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"