Idrizi i bën apel prokurorisë: Zbardh ndeshjet e dyshuara, të hetohet gjerësisht

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 8, 2015 | 11:20

Idrizi i bën apel prokurorisë: Zbardh ndeshjet e dyshuara, të hetohet gjerësisht

Sinan IdriziSinan Idrizi i kërkon prokurorisë të hetojë lojtarët e tij për ndeshjet Flamurtari-Teuta dhe Partizani-Flamurtari. Një ditë pasi “Panorama Sport” solli informacione nga ecuria e hetimeve të prokurorisë në lidhje me këtë çështje, administratori Idrizi deklaroi kështu për gazetën:

“Nuk jam në dijeni që janë pyetur apo jo futbollistët apo stafi teknik. Nuk më intereson fare ky fakt, nuk më intereson ndeshja Flamurtari-Teuta, apo Partizani-Flamurtari. Mua më intereson Flamurtari.

Unë kam kërkuar nisjen e hetimit për futbollistët e mi dhe të stafit teknik. Dua që të dalë e vërteta. Pra, nuk kam gjë me Partizanin apo Teutën, nuk kam çuar për hetim ndeshjet, fenomenin dhe lojtarët e mi.

Unë dua që të dalë se cili e ka fajin. Por në fakt, ata e gjetën fajin, pra i referohem këtu Komisionit të Etikës, dhe ky qenka portieri. Për mua kjo çështje duhet që të kapet që në themel. Por çfarë bënë më pas, e transferuan çështjen në Durrës. Pse e bënë këtë gjë? E bënë për të na krijuar probleme. Por nuk e dinë këta zotërinj që do ta ndjek këtë çështje kudo që të jetë, madje siç e kam thënë edhe më parë, deri në hënë”, tha fillimisht Idrizi.

Zotimi- “Unë kërkoj zbardhjen e asaj çfarë ka ndodhur, prandaj kërkoj një hetim të drejtë dhe të pavarur. Unë dua të di nëse futbollistët e mi janë të përfshirë në këtë çështje. Nëse do të dalë e vërteta dhe lojtarët e mi të dalin të implikuar, atëherë unë si drejtues dhe si klub do të ndjek të gjitha rrugët ligjore. Do të bëj të gjitha përpjekjet që këta lojtarë të mos jenë më pjesë e futbollit.

Nuk do të bëj parapa ktheu. Me FSHFnë do të shihemi në gjyq, pasi ata zotërinj kanë shpërdoruar detyrën, më kanë prishur imazhin e klubit dhe më kanë bërë shantazh. Nuk e lë me kaq këtë çështje. Do të ndjek rrugët ligjore nga Shqipëria deri në Lozanë. Kërkoj të më vihet në vend dinjiteti dhe për prishje imazhi do t’u kërkoj edhe dëmshpërblim financiar, i cili do të jetë i konsiderueshëm”, përfundoi Idrizi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"