“Idhulli im është Kristiano Ronaldo”, rrëfimi i Leshit: Goli i parë një mrekulli, dua të lë gjurmë me Flamurtarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 24, 2023 | 12:03

“Idhulli im është Kristiano Ronaldo”, rrëfimi i Leshit: Goli i parë një mrekulli, dua të lë gjurmë me Flamurtarin

Arlind Leshi e ka kapur shansin. Me Flamurtarin që ka kthyer vështrimin nga akademia, në planet e stafit teknik u përfshi edhe sulmuesi 18- vjeçar.

411173039_18008404484500540_4310893371576747724_n

Ka marrë minuta në pesë ndeshje në total, por shenjë la kur iu besua një fanellë titullari. Pikërisht kundër Lushnjës luajti nga fillimi dhe la shenjë. E gjeti dy herë rrjetën, ndonëse një iu anulua. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, sulmuesi tregon gjithçka rreth vetes dhe ëndrrat për të ardhmen. Frymëzohet nga Kristiano Ronaldo, ndërsa në rrugëtimin në futboll të nisur që 9 vjeç, e mbështet shumë i vëllai.

Arlind, sa vjeç jeni?

Nuk kam shumë që mbusha 18 vjeç. Kam lindur me 1 dhjetor të 2005-ës.

Në cilën moshë e keni nisur futbollin?

Kam qenë 9 vjeç kur fillova rrugëtimin tim. Ishte një nisje si fëmijë ngaqë e kisha qejf topin. Madje prindërit më thonë se edhe pse i vogël kam pasur karakteristika të veçanta kur luaja.

Si ndiheni që jeni grumbulluar me ekipin e parë?

Shumë i lumtur. Është një privilegj, por edhe përgjegjësi shumë e madhe. Dua që të mos e ndal punën, që të tregoj se e meritoj këtë gjë. Por mbi të gjitha duhet që të jap maksimumin tim për Flamurtarin. Jam vlonjat dhe si i tillë duhet që të bëj më të mirën për skuadrën në realizimin e objektivave.

Kush ju thirri në ekipin e parë?

Stafi teknik dhe drejtuesit e klubit. Ata ma dhanë këtë mundësi. Falënderoj administratorin Idrizi për mundësinë që më dha dhe për mbështetjen ndaj akademisë.

Në fakt e nisët me gol aventurën tuaj, shënuat në ndeshjen me Lushnjën…

Ishte një mrekulli. Ishte goli i parë imi dhe natyrisht që ishte një emocion shumë i veçantë.

Meqë është goli i parë, keni një dedikim?

Golin ia dedikoj motrës sime dhe mbesës së vogël që jetojnë jashtë.

Si po ecën stërvitja?

Për momentin nuk vazhdoj me të rinjtë. Po stërvitem dhe kam marrë minuta në ekipin e parë.

Cili është pozicioni juaj më i përshtatshëm që luani në fushë?

Sulmues i majtë. Ky është pozicioni që më pëlqen më shumë dhe që ndihem mirë.

Çfarë premtoni për Flamurtarin?

Dua të arrij majat e futbollit. Unë jam këtu pikërisht për ta bërë këtë gjë.

Kush ju frymëzon në futboll?

Që i vogël idhulli im ka qenë Kristiano Ronaldo. Ai është i veçantë!

Nëse nuk do t’i përkushtoheshit futbollit, çfarë pune do të donit të bënit?

Këtë nuk e di. Në fakt nuk e kam menduar ndonjëherë. Por besoj se do të bëja punë normale.

Kush ju mbështet në rrugën tuaj në futboll?

Vëllai im. Në çdo veprim ose diçka tjetër që bëj kam vëllain gjithmonë pranë.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"