I shtati në botë, Donaruma kërkon “7” edhe në kontratë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 27, 2020 | 12:56

I shtati në botë, Donaruma kërkon “7” edhe në kontratë

Me golat e pësuar dje nga kolegët Handanoviç dhe Muso, portieri i Milanit, Xhanluixhi Donaruma, është i vetmi në Serinë A që ka mbyllur 8 ndeshje në Serinë A pa pësuar gola. Vendimtare puna në repart e të gjithë kuqezinjve për 20- vjeçarin që lë kështu dy homologët në kuotën e 7 ndeshjeve pa nxjerrë topin nga rrjeta e tyre. 

gigio-antonio-donnarumma

Gjatë sezonit aktual, numri 99 ka qenë shpesh vendimtar në fitoret e skuadrës së Piolit, teksa përveç përballjeve me Torinon (2 gola të pësuar) dhe Atalantën (5 gola të pësuar), në 18 ndeshjet e tjera është vlerësuar me një notë mbi 6, ndërsa në një rast, ndaj Xhenoas, ka munguar për arsye dëmtimi.

 TOP 7 – Vlera e tij vijon të rritet në këto kushte dhe aktualisht, në listën e gardianëve më të shtrenjtë në botë është i shtati, një vend që e ndan së bashku me madrilenin Kurtua. Përpara Xhixhos, që sipas “Transfermarkt” ka një vlerë tregu prej 55 milionë eurosh, ndodhen Kepa i Çelsit dhe De Gea i Junajtidit që vlejnë secili 60 mln €.

Ederson i Sitit vlerësohet 70 milionë euro, teksa dy vendet e ulëta të podiumit i ndajnë Ter Shtegen i Barçës dhe Alison që vlerësohen përkatësisht nga 90 milionë euro. Në krye të kësaj renditjeje të veçantë qëndron Jan Oblak i Atletikos me një vlerë kartoni prej 100 milionë eurosh. Për kronikë duhet thënë se dhjetëshja mbyllet nga dy të rinj 45-milionësh si Onana i Ajaksit dhe Meret i Napolit.

KONTRATA – Teksa vlera e kartonit i rritet, Donaruma shumë shpejt mund të shndërrohet në çështje te Milani, në mos është që tani. Atij i skadon kontrata në qershor të 2021-shit dhe Mino Raiola pak ditë më parë deklaroi se bashkëpunimi me kuqezinjtë do të vazhdojë deri në fund.

Pavarësisht gjithçkaje, te Milani synojnë t’ia rinovojnë kontratën që, në rast nevoje, ta sakrifikojnë për një shumë të majme, e cila nuk mund të jetë e tillë nëse nuk rinovohen firmat mbi akordin mes palëve. Sipas mediave italiane, menaxheri i portierit kërkon 7 milionë euro në sezon, një më shumë nga 6 milionët aktualë që merr Donaruma. Kjo kërkesë nuk duket e tepërt, me shumën që mund të nxirret nga mbyllja e bashkëpunimit me Antonion, vëllain e Xhixhos, i cili prej tre vjetësh arkëton 1 milion euro në sezon, por ka regjistruar vetëm tri prezenca me fanellën e Milanit.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"