I shënoi Dinamos, Ergys Peposhi: Teuta, gati të befasojë edhe kampionët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 25, 2023 | 18:33

I shënoi Dinamos, Ergys Peposhi: Teuta, gati të befasojë edhe kampionët

Ergys Peposhi shënoi golin që i hapi rrugën përmbysjes së çmendur të Teutës në ndeshjen ndaj Dinamos. Mesfushori i ardhur nga Kukësi luan sezonin e tij të dytë në Durrës, pasi ka qenë pjesë e ekipit edhe dy sezone më parë.

peposhi

Në intervistën për “Panorama Sport”, 23-vjeçari foli dje për fitoren e fundit dhe ndeshjen e radhës ndaj Partizanit.

Ergys, ishte kjo fitore ndaj Dinamos më e rëndësishmja e fazës së parë për Teutën?

Nuk mund të themi se ishte fitorja më e rëndësishme, pasi të gjitha pikët vlejnë njësoj ndaj çdo kundërshtari. Rëndësi për ne ka vazhdimësia. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, sepse tani kemi ndeshjen me Partizanin, që është shumë e vështirë.

E nisët titullar dhe shënuat golin që i hapi rrugën përmbysjes. I kënaqur me atë që keni dhënë për skuadrën?

Më në fund e gjeta golin këtë kampionat, por rëndësi ka që ekipi fitoi dhe tani të shpresojmë të vazhdojmë kështu. Për një futbollist nuk ka kënaqësi më të madhe se kur kontribuon në sukseset e skuadrës. Shpresoj që të vijoj me këto paraqitje dhe do të punoj fort për këtë. Uroj që të mos kem probleme fizike. Tashmë mendoj se jemi në rrugën e duhur si skuadër, edhe pse kemi pasur luhatje në disa ndeshje. Ka pasur ndeshje që edhe fati nuk ka qenë me ne.

Çfarë prisni nga ndeshja me Partizanin të shtunën, që do ta luani në stadiumin e “demave”?

Dueli me Partizanin dihet që është shumë i fortë. Presim të japim shpirtin në fushë të gjithë lojtarët, siç e kemi dhënë deri në këto momente. Duam të vazhdojmë me këtë ritëm, duke shpresuar të marrim tri pikët, duke vijuar aty ku e lamë, në ndeshjen ndaj Dinamos. Mendoni se ju ndiheni më në presion në këtë situatë apo Partizani? Ne e dimë që në çdo ndeshje ka presion kur kërkon maksimumin. Por, jemi të qetë para kësaj ndeshjeje. Me presion shpesh ndodhin gjëra jo të këndshme. Ne kemi motivimin e duhur, kështu që me durim dhe besim, do të vazhdojmë të bëjmë mirë.

ZAMIR QYPI -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"