I ndërtuar nga e para për elitën. Elbasani ka tashmë një lider, kampion i minutave… Karakaçi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 13, 2023 | 20:19

I ndërtuar nga e para për elitën. Elbasani ka tashmë një lider, kampion i minutave… Karakaçi

Elbasani është një skuadër që ka ndërruar tërësisht “luk” nga sezoni i kaluar. Afrime të shumta dhe emra të rëndësishëm nga elita, që kanë pasur një rol thelbësor në ekipet ku kanë milituar. Për këtë arsye, këtë vit dukej se do të ishte e vështirë për të nxjerrë liderin te verdheblutë.

karakaci

Në lojë ishin disa “kandidatura”, duke u nisur nga eksperienca në të kaluarën në futbollin shqiptar. Mirëpo, kur janë luajtur shtatë javë kampionat, mund të thuhet se elbasanasit e kanë tanimë një të tillë. Jo të vetëshpallur, por të fituar në saj të performancës në fushë. Bëhet fjalë për Abaz Karakaçin.

LIDERI I SKUADRËS – “Panorama Sport” ka analizuar shifrat e këtyre shtatë javëve që lidhen me kapitenin e ri të Elbasanit. 31-vjeçari duket se i lë të gjithë pas vetes dhe jo më kot i është besuar edhe shiriti, ashtu si në kohën kur luante te Kastrioti. Së pari, është i vetmi futbollist që Nevil Dede e ka aktivizuar në të gjitha ndeshjet si titullar. Ai mund të krenohet me faktin, se nga 22 lojtarët që kanë pasur minuta deri tani, vetëm ai nuk ka humbur kurrë formacionin. Rrjedhimisht, është edhe futbollisti me më shumë minuta të luajtura, plot 609 të tilla.

Nga ana tjetër, është golashënuesi më i mirë i skuadrës deri më tani, me tre rrjeta të realizuara edhe pse dy gola i ka shënuar nga pika e bardhë e penalltisë. Ka kontribuar në dhënien e nëntë pikëve për skuadrën, nga tre me rrjetat ndaj Vorës dhe Apolonisë në “Elbasan Arena” dhe një tri pikësh me golin e shënuar ndaj Lushnjës në Berat. Me pak fjalë, Elbasani duket se e ka gjetur menjëherë liderin këtë sezon dhe shiriti i kapitenit në krah po e frymëzon më shumë. Duket se loja e verdhebluve varet nga këmbët e tij, të paktën këtë thonë shifrat e këtyre javëve.

PËRGATITJET ME RITËM – Elbasani po e shfrytëzon këtë pushim të shkurtër për shkak të ndeshjeve të Kombëtares, edhe për të kryer përgatitje më intensive. Përgjatë këtyre tri ditëve, verdheblutë kanë zhvilluar nga dy seanca stërvitore në ditë, duke shpresuar që skuadra të jetë në kondicionin e duhur fizik për sfidën ndaj Besëlidhjes në Kupë dhe më pas Flamurtarin në kampionat. Një javë më parë grupit i kanë munguar Bruno Telushit, Ardit Hoxhajt dhe Leo Melos dhe shpresat për rikuperimin e tyre janë të mëdha.

VALDIMIR MEMA -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"