I lidh gjaku, por ambiciet i kanë të ndara/ Mesfushori i Besëlidhjes i bën sfidë të vëllait: Dua “Këpucën e Artë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 22, 2022 | 21:54

I lidh gjaku, por ambiciet i kanë të ndara/ Mesfushori i Besëlidhjes i bën sfidë të vëllait: Dua “Këpucën e Artë”

Redon Danaj e gjeti dy herë rrjetën për ballë Shkumbinit dhe zyrtarisht i ka haur “luftë” të vëllait. Ka shkuar në kuotën e 9 golave, por aq sa edhe Ruben Danaj. Një garë interesante brenda familjes, prej së cilës do të përfitojë vetëm… Besëlidhja.

redon danaj

Me 18 golat që kanë shënuar ata së bashku (pa llogaritur këtu asistet që kanë dhënë për njëri-tjetrin dhe për shokët e tjerë të ekipit), lezhjanët po ecin të sigurt drejt një tjetër objektivi: zonës “play off”.

Me fitoren 2-5 në Peqin, kanë hedhur një hap të sigurt drejt mbijetesës. Blinduan vendin e 9-të dhe tashmë ambicia është shtuar. Nëse deri para pak ditësh mesfushori donte të arrinte vëllain e madh, tani kërkon që ta kalojë dhe, pse jo, të tentojë “Këpucën e Artë” të Kategorisë së Parë.

Është vetëm 21 vjeç dhe pretendimet e tij janë që të luajë në elitë, e megjithatë lidhjen me ekipin e zemrës nuk do ta harrojë. Qartazi e thotë për “Panorama Sport” se kjo fanellë është lëkura e tij e dytë.

“Besëlidhja është më shumë se një fanellë për mua, por lëkurë. Nesër mund të vesh një tjetër, por në zemër kam vetëm këto ngjyra. Emocionet që më jep ky ekip, nuk i përshkruaj dot.

“Deri pak javë më parë ishim të dëshpëruar pasi endeshim mes rënies dhe mbijetesës, por falë punës së stafit dhe lojës plot grintë të lojtarëve, llogarinë kanë ndryshuar.

“Mendoj se kemi shpëtuar dhe tashmë mund të shohim përtej këtë misioni minimal. Duke e ditur se 4 ekipe do të ndeshen mes tyre në finalet e ‘play off’-it dhe ne jemi vetëm 4 pikë larg vendit të 6-të, pse të mos shpresojmë? Kanë mbetur edhe 6 javë dhe do bëjmë gjithçka që ta kapim një vend.”

“Përveç ambicies kolektive për të tentuar ngjitjen, kam edhe unë synimet e mia. Pse të mos jem unë ai që të fitoj trofeun e golashënuesit? Deri tani kam shënuar 9 gola dhe kam vetëm 3 më pak se kryesuesit e kësaj liste.

Sa i përket rivalitetit me vëllain tim të madh, Rubenin, kjo është një çështje sa fati aq edhe përkushtimi. Me të vërtetë na lidh gjaku, por punët dhe ambicien i kemi të ndara”, përfundoi lezhjani.

PRENG GJIKOLA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"