Humbja në Vlorë prish “qetësinë” e Elbasanit, mbledhje me drejtuesit dhe ultimatum skuadrës për…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 24, 2023 | 9:10

Humbja në Vlorë prish “qetësinë” e Elbasanit, mbledhje me drejtuesit dhe ultimatum skuadrës për…

Humbja ndaj Flamurtarit prishi “qetësinë” tek Elbasani. Nëse ndalesa në Peshkopi u konsiderua aksidentale, kjo e Vlorës ka lënë shije shumë të hidhur te drejtuesit. Një ekip që prodhoi shumë pak dhe që nuk përligj investimet që janë bërë këtë merkato vere.

elbasani

Për këtë arsye, dje në klub është mbajtur një mbledhje urgjente, në të cilën ka marrë pjesë edhe presidenti Kujtim Llupa së bashku me drejtuesit e tjerë.

Këtë herë, lojtarët dhe stafi ia hodhën “paq”, me klubin që për momentin nuk ka marrë masa drastike, duke shpresuar që të bëhet menjëherë kthesa në sfidat e radhës.

Është vënë ultimatum që në tri takimet e kësaj faze të merren nëntë pikët e plota, ku do të luhet përballë Tomorit, Luzit dhe Bylisit të vendit të parë.

MBLEDHJA ME LOJTARËT

Fillimisht është mbajtur një mbledhje ku ishte i pranishëm gjithë ekipi, së bashku me stafin teknik. Tema kryesore e diskutimit ka qenë paraqitja në Vlorë. Nga ana e presidentit dhe drejtuesve të tjerë u është kërkuar lojtarëve nëse ka diçka që nuk shkon, sepse një paraqitje e tillë është e patolerueshme.

Mbledhja zgjati afro 45 minuta dhe lojtarët theksuan se bëhet fjalë thjesht për një ditë të keqe, në të cilën iu “lidhën” këmbët. Drejtuesit ua kanë bërë të qartë lojtarëve, se po trajtohen edhe më mirë se sa ekipet e Superiores dhe gjatë gjithë këtij kampionati kanë treguar shumë pak nga pritshmëritë që ka klubi.

Theksi është vënë dhe mbi atë se askush nuk e ka vendin të sigurt në këtë skuadër, duke nënkuptuar edhe largime të mundshme nëse nuk vjen kthesa, jo vetëm në rezultate, por edhe në lojë.

MBLEDHJA ME STAFIN

Pasi u mbyll mbledhja me lojtarët, presidenti qëndroi për afro 45 minuta të tjera me stafin teknik dhe drejtuesit e tjerë në organikë, si administratori dhe drejtori.

Mësohet se në këtë takim më të ngushtë është diskutuar konkretisht rruga që duhet të ndiqet për të dalë nga kjo situatë që ka vënë në rrezik objektivat e klubit. Presidenti ka marrë informacion më të detajuar për skuadrën dhe për çdo lojtar rreth performancës së tyre në fushën e lojës.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"