“Humbja ndaj Maliqit ka qenë më e turpshmja”, Perja: Luanim sikur të ishim Bajerni

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 24, 2022 | 22:23

“Humbja ndaj Maliqit ka qenë më e turpshmja”, Perja: Luanim sikur të ishim Bajerni

Skerdian Perja nuk e tradhtoi kurrë fanellën verdhezi, përtej ofertave që ka pasur ndër vite edhe nga ekipe të elitës. Përvoja e tij e madhe bën që edhe mendimi t’i peshojë. “Dushin” që morën nga trajneri Dorjan Bubeqi mbrojtësi e quan më se të merituar. Teksa flet për “Panorama Sport”, ai shkon më tej kur deklaron se me humbjen ndaj Maliqit e futën veten në siklet.

Perja2

“Nga gjithë përvoja ime si lojtar, humbja në Maliq vërtet ka qenë më e turpshmja. Personalisht besoj se do mbetet fitorja e tyre e vetme deri në fund, vetëm nëse ndonjë ekip shkon në Maliq për ‘festë’. Bubeqi kishte plotësisht të drejtë, dhe unë madje them se ai na tha shumë pak nga ajo çfarë meritonim.

Nuk kam parë ekip më të dobët se Maliqi, madje as Shkumbini nuk ishte i tillë. E morëm lehtë, e vijuam lehtë ndeshjen dhe e pësuam. Luajtëm sikur të ishim Bajerni, me besimin se ka kohë mjaft për të fituar. Vetëm kur Maliqi shënoi golin e 3-të, atëherë kuptuam se humbja ishte fakt. Pas kësaj shënoi Hoxha dhe mund ta kishim evituar turpin me Meçjen përsëri në fund, të paktën të barazonim. Por ajo që ndodhi, ndodhi”, tha fillimisht 31-vjeçari. Për Perjen, sidomos të rinjtë duhet të jenë më të përgjegjshëm dhe duhet ta konsiderojnë fat që luajnë me Besën.

Duhet të japin njëqind për qind të tyre. “Më vjen më shumë keq për lojtarët e rinj, të cilët e vuajnë më shumë psikologjikisht atë humbje. Ata kanë freskinë, moshën, dëshirën, egon dhe çdo humbje i godet psikologjikisht. Unë dhe shokët me përvojë i kemi mbajtur afër, këshilluar, motivuar dhe mbështetur. Por ajo që më vret më shumë, është fakti se e futëm veten në siklet pa arsye. Tani duhet të sakrifikojmë në ndeshjet e mbetura me Tërbunin, Erzenin, Bylisin, Tomorin etj., kur me fitoren në Maliq shkonim 36 pikë dhe do na mjaftonin 6 pikë për të qenë të qetë.

Por ajo që iku nuk qahet, thotë populli. Tani me një tjetër seriozitet, disiplinë po përgatitemi për ndeshjen me Tërbunin. Është një ekip mjaft i fortë, që do ta kemi mjaft të vështirë, si për të kaluar shokun psikologjik, por edhe për të marrë 3 pikët aq të domosdoshme për ne”, përfundoi mbrojtësi.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"