Humbja ndaj Kukësit, te Vllaznia s’bëjnë “drama”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 19, 2024 | 17:53

Humbja ndaj Kukësit, te Vllaznia s’bëjnë “drama”

Pas 12 javëve me re zultate pozitive në kampionat, ku skuadra kishte arritur dhjetë fitore e vetëm dy barazime, Vllaznia ka pësuar disfatën e parë përballë ekipit të vendit të fundit, Kukësit. Disfata e fundit shënohej sërish në transfertë, në datën 2 dhjetor 2023 kundër Egnatias, kur kuqeblutë mposhteshin 3-0.

alivoda vllaznia

Që nga ajo periudhë skuadra ka marrë një fytyrë tjetër dhe forma pozitive nuk mund të hidhet poshtë nga një humbje në Kukës. Madje te Vllaznia, pavarësisht mërzisë së momentit, nuk kanë lënë vend për panik pas kësaj humbjeje. Te Vllaznia, humbja me shifrat 2-0 ndaj Kukësit ka bërë që një nga mbrojtjet më të mira të kampionatit, siç ishte ajo kuqeblu, tani të renditet në vendin e dytë. Ngritjen e Vllaznisë e tregojnë më së miri edhe statistikat, veçanërisht ato të prapavijës.

MBROJTJA – Në fillim të edicionit, mbrojtja e Vllaznisë ishte e “kryqëzuar”, sepse ekipi pësonte shumë gola. Ky repart shikohej si defektoz në mbarëvajtjen e rezultateve. Por duket se reparti i mbrojtjes dhe po ashtu skuadra në përgjithësi, ka bërë një autokritikë për sa i përket kësaj çështjeje. Po të mos ishin dy golat e pësuar dje në Kukës, Vllaznia do të kishte mbrojtjen më të mirë në kampionat. Kjo, pasi tashmë me 26 gola të pësuar renditen si mbrojtja e dytë më e mirë në kampionat. Shifra më pozitive se shkodranët ka vetëm Partizani.

Të kuqtë kanë pësuar 25 gola pas 28 javësh në Superiore. Po ashtu 26 gola, aq sa ka pësuar Vllaznia, ka edhe Laçi, duke formuar kështu treshen me më pak gola të pësuar deri më tani në Superiore. Nga sa mësohet, humbja në Kukës nuk duket se shqetëson shumë teknikun Osmani dhe stafin e tij, pasi nga sa është parë edhe pas ndeshjes, ai ka shumë besim se ajo humbje do të mbetet sërish e vetme. Ai ka besimin se gjërat do të rregullohen sërish, siç kanë qenë deri para këtij takimi. Shkodranët do të vijojnë punën për të qenë një nga dy skuadrat e para të katërshes së parë.

NDËRPRERJA – Tekniku Osmani dhe stafi i tij kanë “shpërblyer” ekipin e tyre me ditë pushimi, nisur nga kjo ndërprerje e kampionatit. Do të ketë thuajse dy javë pushim për skuadrat, për shkak të ndeshjeve të Kombëtareve, të cilat do të luhen gjatë këtij muaji. Në këtë mënyrë lojtarët do të mund të rikuperojnë energjitë e tyre për t’i dhënë marshin e final kampionatit, kur kanë ngelur edhe tetë ndeshje nga fundi. Edhe për Vllazninë një ndërprerje e tillë ka ardhur në kohën e duhur, sepse te lojtarët janë vërejtur shenja lodhjeje kohët e fundit. Sipas parashikimeve, ekipet do të mund të rikthehen në fushë më 30-31 mars, ku do të luajnë ndeshjet e javës së 29-të të kampionatit.

Mbetet të shihet se si do të ndikojë kjo pauzë te skuadrat dhe cilat prej tyre do ta shfrytëzojnë në maksimum për “sprintin” e fundit të kampionatit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"