Humbja me Burrelin lë pasoja te Besëlidhja, mbrojtësi Hoxha: Jemi të shokuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 21, 2021 | 17:26

Humbja me Burrelin lë pasoja te Besëlidhja, mbrojtësi Hoxha: Jemi të shokuar

Në Lezhë nuk dorëzohen. Humbja që pësuan me Burrelin la shije të hidhur, e megjithatë lojtarët zotohen për kthesën. Këtë fundjavë udhëtojnë në transfertë, por synim kanë vetëm një: fitoren.

Turbina Beselidhja

Vendi i fundit nuk ndalon gabimet dhe të gjithë janë të vetëdijshëm për këtë fakt. Angazhimi maksimal duket edhe në stërvitje, atje ku gjithsecili mundohet që të nxjerrë “xixa”. Mbrojtësi Sidrit Hoxha beson tek autokritika në Lushnjë, ndonëse përballë do të kenë një ekip që gjithashtu po vuan dhe kjo shton shkallën e vështirësi.

“Jemi ende të shokuar nga humbja që pësuam të dielën. Por, asgjë nuk mund të zhbëhet dhe nuk na mbetet tjetër veçse të mbledhim forcat dhe përqendrohemi te ndeshja e radhës. Me Lushnjën do të jemi plotësisht në formë për ta përballuar me sukses. Besëlidhja nuk duhet të ishte në këto pozita.

Tani që e shohim veten në fund të tabelës, le të mendohemi mirë. Hapësira e gabimeve është mbushur dhe nuk mban më. Duke parë formën e ekipit gjatë këtyre ditëve stërvitore, jemi optimistë se në ‘Roza Haxhiu’ do të bëjmë kthesën e shumëpritur. Edhe pse jemi në fund të tabelës pas pesë javësh, nuk dorëzohemi. Deri në fund të fazës së parë do i largohemi kësaj zone. Ndaj, na duhet të mobilizohemi seriozisht e ta nisim mbarë që në Lushnjë duke marrë 3 pikët e para”, përfundoi mbrojtësi për gazetën.

PRENG GJIKOLA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"