Humbën me Erzenin, sulmuesi i Lushnjes mendon për Apoloninë: Uroj t’u shënojmë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 5, 2020 | 22:33

Humbën me Erzenin, sulmuesi i Lushnjes mendon për Apoloninë: Uroj t’u shënojmë

Pas miqësores me Erzenin, ku humbën 2-0, lushnjarët u janë rikthyer dje seancave stërvitore që po i zhvillojnë në fushën e stadiumit “Roza Haxhiu”, në kuadër të derbit me Apoloninë. Me verdhejeshilët nuk është stërvitur mbrojtësi i krahut të djathtë, Renato Dervishi, për arsye dëmtimi. Ndryshe nga miqësorja e një jave më parë me Naftëtarin, ku shënoi dy herë, sulmi verdhejeshil nuk doli te goli në Shijak dhe ky është një problem që duhet zgjidhur, po të kemi parasysh se derbi me Apoloninë po afron dhe për verdhejeshilët është vendimtar.
Brunild Pepa
PEPA – Brunild Pepa, sulmuesi i rikthyer te Lushnja dhe që po aktivizohet në të djathtë të mesfushës nga trajneri Ilir Gjyla, për “Panorama Sport” shprehet se nuk duhet bërë dramë që sulmi nuk shënoi në një ndeshje. “Bëmë një lojë të mirë në Shijak dhe kishim edhe raste shënimi, por nuk ia dolëm ta gjenim rrjetën, ndoshta ngaqë jemi me ngarkesa fizike. Mendoj se ajo ndeshje na shërbeu për ato gjëra që mendon profesor Gjyla, për ato që duhet të bëjmë në ndeshjen e parë të kampionatit me Apoloninë. Nuk mendoj se është një problem fakti që nuk shënoi sulmi në një ndeshje testuese. E rëndësishme është që morëm gjendjen fizike dhe që situata në prag të derbit me Apoloninë është shumë e mirë. Aty ka rëndësi të shënojmë. Është pak problem me këtë kohë që kemi qëndruar pushim dhe po mundohemi ta marrim veten. Shpresoj të jemi në 100% për një ndeshje shumë të rëndësishme, siç është kjo me Apoloninë, ku duhet të marrim rezultat pozitiv”, u shpreh Brunild Pepa.
lushnjaaaa
SULA – Për fazën finale të sezonit dhe derbin me fierakët ka folur edhe drejtori i akademisë së Lushnjës, Marius Sula, i cili shpreh bindjen se në fund të garës do të jetë skuadra verdhejeshile ajo që do të ngjitet në elitë. “Jemi në prag të pjesës finale të sezonit, të pjesës kulmore. Pogradeci, Apolonia dhe Lushnja e kanë dominuar Grupin B dhe janë shkëputur nga Besa. Kështu do të jetë deri në fund, por mendoj se në Superiore do të shkojë Lushnja. Jemi të tretët, por ‘qesh mirë ai që qesh i fundit’. Derbi me Apoloninë është shumë i rëndësishëm për Lushnjën, sepse përcakton shumë gjëra për ecurinë e fazës së tretë. Besojmë që çunat do ta kalojnë me sukses. Kemi ambicie dhe shumë besim se që nga kapiteni Canka e me radhë të gjithë të tjerët do të bëjnë më të mirën në këtë ndeshje. Pas derbit kemi tri ndeshje radhazi në fushën tonë”, u shpreh drejtori i akademisë së Lushnjës, Marius Sula, ish-mbrojtës i skuadrës lushnjare.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"