Hoxha: Nuk e di çfarë e motivoi Tiranën, dështim po s’fituam titullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2017 | 12:09

Hoxha: Nuk e di çfarë e motivoi Tiranën, dështim po s’fituam titullin

Fitorja ndaj Tiranës u ka shijuar dyfish “demave”. Jo vetëm se ishte derbi, por mbi të gjitha prej titullit. Alban Hoxha është i kënaqur me këtë trepikësh, megjithatë kërkon që Partizani të mos e ndalë hapin edhe në 5 javët e mbetura. Kanë 24 vite që nuk shpallen kampionë, ndaj kapiteni i të kuqve e thotë hapur se nëse bëhen 25, do të ishte pa dyshim një dështim. Portieri evidenton lojën e mirë që Tirana zhvilloi, megjithatë tregohet i rezervuar kur pyetet për premion e vendosur nga rivalët.

hoxha batha krasniqi partizani

Sa vlen kjo fitore për titullin?

Dihet rëndësia që ka derbi dhe dëshira që gjithsecili prej nesh ka për ta fituar. Por ky trepikësh shijon dyfish, jo vetëm se mposhtën Tiranën, po mbi të gjitha për titullin. Dihen pretendimet tona, ndaj në çdo takim futemi dhe luftojmë për të marrë maksimumin.

U bënë 13 derbe që nuk humbisni, i kënaqur?

Nuk është se u futëm në fushë për t’i shkaktuar Tiranës humbjen e radhës, apo për të thelluar shifrat e ecurisë sonë të mirë në derbi, thjesht donim që të mos gabonim, pasi vetëm kështu mund të jemi në rrugën e titullit.

Nëse sot (dje) do të “ngecnit” te barazimi, ç’do të ndodhte?

Do bëhej gjithçka më e vështirë. Dihet që neve na duhen të gjitha fitoret tani.

Pozicioni i portierit të jep luksin që ta shohësh lojën me qetësi, ishte ky Partizani më i mirë?

Luajtëm mirë, hapur dhe e kërkuam golin. Por u penalizuam nga një gabim, ishim të papërqendruar dhe u ndëshkuam. Por e rregulluam me kalimin e minutave dhe në fund morëm çka deshëm.

A ishte kjo Tirana më e fortë e derbeve të fundit?

Shumë, shumë e fortë.

Mos ka ndikuar premio që thuhet se është vendosur nga rivalët tuaj?

Nuk e di çfarë ka ndikuar. Nuk mund të flas dot për këtë, por unë di të them që ishte ndeshje e bukur.

A vendoset çështja “titull” javën tjetër?

Presim Kukësin, por më mirë flasim kur të vijë ndeshja.

Pas 24 vitesh, a jeni gati t’u dhuroni titullin e munguar tifozëve?

Kemi luftuar gjatë gjithë këtij kampionati, tifozët i kemi, me pagat jemi shumë në rregull. Ndaj mendoj që kemi të gjithë komponentët e duhur për t’u shpallur kampion.

Nëse nuk ia dilni, a do ishte dështim?

Normalisht që do ishte dështim. Gjithsesi, për të dalë në konkluzione duhet të mbarojë sezoni. Kemi edhe 5 javë për të luajtur deri në finish, do bëjmë gjithçka që të marrim maksimumin dhe rrjedhimisht edhe titullin.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"