“Hoxha bëri autogol”, presidenti Gjoza: Aksidentalisht zv.ministër, shtanga me grantin më të madh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2023 | 20:19

“Hoxha bëri autogol”, presidenti Gjoza: Aksidentalisht zv.ministër, shtanga me grantin më të madh

Presidenti i Federatës së Peshëngritjes, Elez Gjoza, nuk e ka pritur aspak mirë daljen publike të zv.ministrit, Endrit Hoxha, teksa ky fundit “thumboi” presidentët e federatave, duke u shprehur se nëse atyre nuk u pëlqen buxheti, pse nuk japin dorëheqjen. Lidhur me këtë situatë në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, Gjoza deklaron:

GJOZA

“Po pse ne si presidentë na vendos dhe na heq zv.ministri?! Ne votohemi nga komitetet drejtuese, nga asambleja zgjedhore. Ai është aksidentalisht zv.ministër dhe nuk njeh funksionim e federatave. Kështu që mos të na bëjë spektakël zv.ministri”, shprehet kreu i FSHP-së, i cili më tej shton:

“Të gjithë presidentët janë honorifikë, pra nuk i vendos apo i heq qeveria, por zgjidhen nga asambletë zgjedhore. Absolutisht që në momentin që granti është më i ulët, pavarësisht se peshëngritja e kishte grantin më të madh se të gjithë, grantet duhet të jenë më të larta për t’i shërbyer federatave.

Përmendi që presidentët kanë nga tetë vite, aq po bën edhe ai, ndërsa mbulon taekuondonë, federatë që ka marrë më shumë grant se atletika, mundja, apo çiklizmi, në një kohë që ka 2 vjet federatë. Për mendimin tim duke pasur shumë respekt për zv.ministrin mund të them se ai ka bërë një autogol dhe është bërë i padëshirueshëm për federatat”, thotë Gjoza.

BUXHETI DHE NDARJA – Ndonëse federata që drejton ka pasur buxhetin më të lartë nga të gjithë në vitin 2023, kjo gjë nuk e ka penguar aspak Gjozën që ta quajë grantin të pamjaftueshëm për të përmbushur kërkesat e sportit: “Granti është absolutisht i papërballueshëm për federatat, të cilat duan shumë herë më tepër grant.

Po rrudhen federatat nga mospjesëmarrja dhe nga moszhvillimi i aktiviteteve kombëtare dhe ndërkombëtare. Ne do të shkojmë me sportistë të huaj nëpër olimpiada apo me shqiptarë?! Me çfarë do të përfaqësohemi?! Unë si president drejtoj federatën që ka marrë më tepër grant, por flas se e dua sportin shqiptar. Dua që të gjitha federatat të ecin përpara, kjo është ideja ime”, shprehet kreu i FSHP-së, i cili ka objeksione edhe për sa i përket ndarjes që i është bërë grantit:

“Të marrë atletika një shumë të tillë është e papranueshme. Çfarë të bëjnë më parë me ato lekë, të paguajnë rrogën e sekretarit, të ekonomistit, apo të bëjnë garat. Të paguhet më pak se taekuondoja, që ka dy vjet federatë është pa lidhje. Pra zv.ministri ka shfrytëzuar postin zyrtar për t’i akorduar këtë buxhet. Në këtë situatë për mua si drejtues federate gjëja më e thjeshtë ishte që të heshtja, duke qenë se kam marrë grantin më të madh.

Por jo, nuk hesht para gjërave që nuk shkojnë. Ne si federatë kemi 10 aktivitete kombëtare gjatë këtij viti, kualifikuese për në olimpiadë”, deklaron Elez Gjoza, i cili e mbyll teksa thekson se projekti “Ekipet Sportive në Shkolla” duhet të jetë më i gjerë dhe të përfshijë më shumë sporte: “Masiviteti është shumë i mirë, por duhet të bëhen projekte një vit për një apo dy federata dhe më pas bëhen për dy federate të tjera”, përfundon presidenti i shtangës.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"