Historia e rrallë e biznesmenit që luan futboll: E kam si argëtim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 9, 2017 | 17:05

Historia e rrallë e biznesmenit që luan futboll: E kam si argëtim

Të shumta janë historitë e veçanta në ekipet shqiptare të futbollit, sidomos në ato të kategorive inferiore, ku edhe skuadrat nuk kanë shumë pretendime.

Në të shumtën e ekipeve të Kategorisë së Dytë, mjafton që skuadra të bëjë një paraqitje dinjitoze, si dhe të kënaqë tifozërinë që e mbështet. Në këto ekipe nuk mungojnë lojtarët fare të rinj në moshë, por gjithashtu edhe ata pak më të vjetër, që futbollin e vazhdojnë më shumë për pasion.

Ferdinand Rira

Ferdinand Rira (djathtas).

Rira

Një lojtar që e quan të mbyllur karrierën, por që gjithsesi vazhdon të aktivizohet si titullar, është Ferdinand Rira, kapiteni dhe qendërmbrojtësi i ekipit të Domosdovës. Edhe pse në moshën 33-vjeçare, ai vazhdon të jetë pjesë e ekipit përrenjasak dhe, kur e pyet se deri kur do vazhdojë të luajë, me buzëqeshje përgjigjet se është ende herët.

Rira në karrierën e tij nuk ka veshur fanellë tjetër veçse atë të Domosdovës. Në qytetin e Përrenjasit, të gjithë e njohin si një biznesmen të suksesshëm në jetën e përditshme, ndërsa të dielave e shohin në fushën e blertë.

“Mbaj mend veten time që të vogël që nuk e hiqja topin nga këmba sa herë që luaja me shokët e fëmijërisë poshtë pallatit. Diku nga mosha 15-vjeçare u bashkova me ekipin e parë të qytetit tim, Domosdova. Për 3-4 vjet kam luajtur si portier, pasi kisha reflekse të mira atëherë, por nuk isha nga ata portierë që qëndroja në portë. Shpeshherë e lija portën vetëm pasi kisha qejf kur dilja para me top.

Trajneri im në atë kohë mendoi që të më ndryshonte rolin dhe më kaloi mbrojtës. Që atëherë e deri më sot luaj në këtë pozicion dhe nuk mbaj mend në jetë time të kem veshur fanellë tjetër veç asaj të Domosdovës. Jam 33 vjeç dhe as që kam ndër mend ta lë futbollin. Të paktën jo pa e ngjitur një herë në Kategorinë e Parë ekipin tim. Futbolli më plotëson, pasi puna që bëj më lodh jashtë mase dhe ato 90 minuta të dielën më relaksojnë”, shprehet 33-vjeçari.

Ledion Qoshku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"