“Heroi” Mezini: Moment fantastik, golin ua kisha premtuar tifozëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 23, 2019 | 11:22

“Heroi” Mezini: Moment fantastik, golin ua kisha premtuar tifozëve

Lushnja triumfoi në sfidën me Besën falë një goli të sulmuesit 27-vjeçar, Armando Mezini, i cili është njeriu i momentit te verdhejeshilët. Ai ka shënuar tre gola në tri ndeshjet e fundit, që vlejnë 7 pikë për Lushnjën. Pas golit dhe penalltisë së fituar në derbin me Apoloninë në “Roza Haxhiu”, vjen një tjetër gol-fitore në përballjen me Besën, që është një tjetër rivale në Grupin B.

MEZINI

Goli i djeshëm ka qenë vërtet i bukur për nga mënyra e ekzekutimit, një veprim fantastik teknik. Dhe të mendosh që kampionati për Mezinin nisi në tribunë. Ai tani është kthyer në protagonist në formacionin e trajnerit Ilir Gjyla, pas mungesave të Sefës dhe Ervis Gjylës.

“Po kaloj me të vërtetë një moment shumë të mirë dhe sigurisht që jam shumë i lumtur për këtë fakt. Pas rastit që humba në ndeshjen me Turbinën, ku mund të kisha shënuar golin e katërt për skuadrën time dhe pas ndeshjes së dobët me Ilirinë, kam reflektuar më së miri. Jam një njeri që përpiqem të mësoj nga gabimet dhe kërkoj ta gjej te vetja atë që nuk shkon. Është vërtet një moment i jashtëzakonshëm për mua. Golin me Besën ua kisha premtuar dhe ua dedikoj tifozëve të Lushnjës, të cilët po na inkurajojnë në çdo ndeshje dhe nuk munguan as në Pezë-Helmës. Edhe një herë shumë faleminderit Ruços, i cili ishte i mrekullueshëm me atë kros që më serviri nga e majta. Kuptohemi mjaft mirë me njëri-tjetrin. I bëmë një mbyllje shumë të mirë vitit 2019 me këto dy fitoret e fundit, edhe pse jemi në vend të dytë. Besoj se do ta arrijmë në fund të kampionatit objektivin e ngjitjes në Superiore”, tha Mezini për “Panorama Sport” pas ndeshjes së djeshme ndaj Besës.

Alban Alushi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"