Haxhiu: Ekip pa cilësi, Ramela të mbajë përgjegjësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 11, 2015 | 10:17

Haxhiu: Ekip pa cilësi, Ramela të mbajë përgjegjësi

Flamurtari gol ne FierAnëtari i bordit të klubit “Flamurtari”, Saimir Haxhiu, analizon situatën më të fundit në skuadër, teksa thekson se edhe trajneri italian, Ernestino Ramela, duhet të mbajë përgjegjësi.

Përfaqësuesi i Bashkisë së Vlorës në bordin e klubit shpreson që institucionet e drejtë- sisë të zbardhin dyshimet e hedhura pas ndeshjes me Partizanin.

Sipas asaj që thotë Haxhiu për “Panorama Sport”, Flamurtari aktual nuk ka cilësi dhe, për më tepër, lojtarët e ardhur në merkaton e janarit nuk ishin në nivelin e pritshëm.

Zoti Haxhiu, si e shikoni situatën aktuale në klubin vlonjat?

Nuk është shumë e qetë për hir të ngjarjeve të fundit, të cilat në futboll ndikojnë direkt në rezultate.

Ku mendoni se bazohen drejtuesit e Flamurtarit në pretendimet e tyre për takimin me Partizanin?

Pretendimet e drejtuesve, sipas mendimit tim, në lidhje me ndeshjen Partizani-Flamurtari, janë të mbështetura te shpërfytyrimi i skuadrës për 45 minutat e dyta. Unë e vlerësoj gatishmërinë e administratorit Idrizi për hetimin e ndeshjeve. Ajo që më vjen keq është fakti që investitorë, të cilët vijnë me ide të qarta për të investuar në sport, përballen edhe me fenomene të tilla, që të prishin atmosferën në klub.

Si drejtues i bordit, a ka emra konkretë lojtarësh të përfshirë në këtë çështje?

Këtu nuk bëhet fjalë për emra të përveçëm, sepse po të kishte të tillë nuk do të ishte e nevojshme të çohej si rast në prokurori. Por, për një skuadër që sikur edhe tolerim sportiv të ishte, nuk pranohet në kushte kur nga ana e presidencës kërkohet të futet një frymë e re menaxhimi me rregulla të përcaktuara.

Besoni te një hetim i drejtë nga Prokuroria?

Personalisht besoj tek institucionet, me gjithë vështirësitë që kanë këto gjëra për t’u zbuluar, por po të kenë predispozicionin, duke vlerësuar plotësisht si një vepër penale, do t’i jepnin një dorë të rëndësishme mbarëvajtjes së futbollit në Shqipëri.

Ju keni qenë vetë futbollist. Çfarë shikoni që nuk shkon teknikisht te Flamurtari?

Nëse më lejoni të prononcohem nga ana teknike me njohuritë e mia për futbollin, mendoj se ekipit i ka mbetur vetëm të menaxhojë pjesën e mbetur të kampionatit me kujdes. Skuadra nuk ka cilësi, pasi edhe lojtarët e ardhur në merkaton e janarit nuk u ngjiten dot në nivelin e pritur. Flamurtari nuk rrezikon dhe unë të sugjeroja përfshirjen e më shumë futbollistëve të rinj vlonjatë.

Cila është përshtypja juaj për punën e trajnerit Ramela?

Unë shoh se nuk mjafton vetëm përkushtimi i stafit teknik në punë. Kërkohet edhe aftësi të menaxhimit të situatave, por dhe mënyrës sesi hedh në fushë një skuadër për të fituar apo dhuruar spektaklin e munguar prej javësh në stadiumin “Flamurtari”. Për mërzitjen e tifozëve apo irritimin e tyre në shkallët e stadiumit, absolutisht ka faj edhe trajneri. Mendoj se janë përzgjedhur lojtarë të papërshtatshëm për kërkesat e Flamurtarit.

Ju keni paralajmëruar shkarkimin e trajnerit, i qëndroni kësaj?

Unë kam deklaruar se do të kërkoja shkarkimin e Ramelës, gjithmonë nëse do aktivizonte lojtarët me rendiment më të ulët në ndeshjen me Partizanin, sepse nuk do doja që Ramela, për hir të rezultatit të momentit të mos i bashkohej shqetësimit të presidencës për fenomenin tolerim. Personalisht do të isha dakord që të mos aktivizohej e gjithë skuadra e pjesës së dytë ndaj Partizanit në takimin e radhës me Skënderbeun. Në fakt, pati disa lëvizje, por Ramela duhet të fillojë t’i marrë përsipër përgjegjësitë e veta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"