Hamilton, i sigurt: Vershtapen është në listën e Mercedesit, lëvizja ime te Ferrari tregon se…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 8, 2024 | 23:12

Hamilton, i sigurt: Vershtapen është në listën e Mercedesit, lëvizja ime te Ferrari tregon se…

Prej disa ditësh në ga razhet e Formulës 1 çështja Horner është një prej temave më të diskutuara, por kjo duket vetëm maja e ajsbergut të një çarjeje të thellë brenda skuadrës Red Bull. Një histori që mund të përfundojë gjithashtu me lamtumirën e bujshme të Maks Vershtapenit, pavarësisht një kontrate deri në vitin 2028.

HAMILTON

Për momentin kampioni i botës është i vetmi që mbetet diplomatik dhe me sa duket i shkëputur nga kjo çështje, ndërsa të gjithë të tjerët rreth tij duket se janë të etur për të thënë diçka. Kështu, në ditën e konferencave për shtyp në pritje të ndezjes së motorëve për eventin e dytë sezonal në Arabinë Saudite, Xhorxh Rasëll u shfaq i gatshëm për ta pritur krahëhapur pilotin holandez, duke e ftuar ti bashkohet Mercedesit.

Gjithashtu edhe vetë Maks Vershtapen i komentoi zërat që e lidhim me Mercedesin. Ndonëse theksoi se ndihet i lumtur te Red Bulli, piloti holandez la gjithçka të hapur: “Për tu realizuar kjo (kalimi te Mercedesi) duhet të ndodhin gjëra vërtetë të çmendura dhe mendoj që nuk është objektivi i askujt. Unë jam i lumtur në skuadër dhe paraqitjet janë të mira, kështu që nuk shikoj ndonjë arsye për t’u larguar. Por gjithashtu askush nuk e mendonte se Luis Hamilton do të transferohej te Ferrari dhe në jetë asnjëherë nuk mund të bësh parashikime 100% se çfarë do të ndodh.

Pra, kurrë mos thuaj kurrë, ky është komenti im për këtë çështje, të cilën të them të drejtën nuk e mendoj shumë”, deklaroi piloti holandez. Ndërkohë së fundmi për këtë temë të nxehtë është shprehur edhe Luis Hamilton, i cili hodhi hipotezën sesi negociatat për kalimin e Vershtapenit te Mercedesi tashmë mund të jenë duke u zhvilluar.

FLET BRITANIKU – “Unë besoj se lëvizja ime te Ferrari tregon se gjithçka është e mundur. Mendoj se do të jenë gjashtë muaj shumë interesantë. Nuk është se mund t’iu jap ndonjë lajm të bujshëm për këtë temë, por jam i sigurt që Maks Vershtapen është në listën e Mercedesit. Për momentin nuk gjej dot motiv pse ai duhet të largohet nga një makinë kaq e mirë.

Sigurisht që nuk është në vendim që më takon mua, duke qenë se do të jem rival i tij për të gjithë sezonin dhe për momentin nuk mund të flas për sezonin e ardhshëm”, u shpreh shtatë herë kampioni i botës. Pas prishjes dukshëm të marrëdhënieve midis Hornerit dhe Xhos Vershtapenit, babait të pilotit, hipoteza është se një lamtumirë e mundshme nga ekipi i “Milton Keynes” mund të jetë një zgjedhje largpamëse për vitin 2026, megjithëse me koston e lënies së shumë sukseseve të mundshme në të ardhmen.

Pas dy viteve, në fakt, do të debutojnë njësitë e reja hibride të fuqisë dhe Red Bull e gjen veten përballë sfidës së projektimit të motorit të tij të parë të vërtetë F1 edhe pse do të ketë ndihmën e jashtme nga Ford.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"