Haland në garë me kohën për ndeshjen me Liverpulin, reagon Guardiola: Vendosim sot, jeta ka rreziqe dhe…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 1, 2023 | 9:00

Haland në garë me kohën për ndeshjen me Liverpulin, reagon Guardiola: Vendosim sot, jeta ka rreziqe dhe…

Erling Haland mund të kthehet në kohë për ndeshjen e vështirë të Mançester Sitit me Liverpulin ditën e sotme. Sulmuesi norvegjez, autor i 42 golave këtë sezon, është duke u rikuperuar nga një dëmtim i vogël në ijë që e mori në ndeshjen kundër Bërnlejt dy javë më parë, ku ai shënoi një tripletë.

GUARDIOLA HALAND

22-vjeçari nuk u stërvit me shokët e tij këtë javë, duke bërë vetëm stërvitje të diferencuara. Dhe kjo e lë Halandin përballë një gare me kohën për t’u përgatitur për takimin e pasdrekës së sotme në “Etihad”, me Sitin që do të kërkojë të ngushtojë diferencën me kryesuesit e Arsenalit (aktualisht është tetë pikë).

Dhe Pep Guardiola ka zbuluar tani se Haland mund të përfshihet në skuadrën e sotme: “Do të shohim, mjekët dhe lojtari do të vendosin nëse ndihet mirë. Mbetet për t’u parë. Jeta ka rreziqe dhe ndonjëherë duhet t’i marrësh ato. Ai ka shënuar shumë gola. Ne jemi gjithmonë një ekip që ka shënuar shumë gola në sezon, kjo është ajo që ne përpiqemi të bëjmë deri në fund të sezonit”.

Babai i Halandit, Alf-Inge, tha fundjavën e kaluar se sulmuesi nuk do të përballet me “reds”-at nëse nuk mund të stërvitet me skuadrën. Dhe me një mesjavë pushim për djemtë e Guardiolës, kampionët nuk do të duan të rrezikojnë, ndërsa ndjekin tripletën.

“Nuk mund të rrish dy javë pa u stërvitur, pastaj të hidhesh në një luftë. Duhet të ketë një progres. Ata mund të luajnë bixhoz, por nëse ai nuk bën stërvitjen e duhur me ekipin, atëherë ai nuk do të luajë. Do të ketë të bëjë me mënyrën se si ai i përgjigjet trajtimit në ditët e ardhshme”, tha babai i Halandit.

LIVERPULI – Skuadra e Klopit ka vuajtur këtë sezon, por tekniku rival nuk pret një ndeshje më të lehtë: “Ata mbeten një ekip i jashtëzakonshëm. Mendimi im nuk ndryshon. Ata mund t’i mundin të gjithë, ashtu si ne mund t’i mundim të gjithë. Këtë sezon rivali më i madh është një tjetër, por çfarëdo që të ndodhë në të ardhmen ata janë një rival i madh”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"