“Hadroj super, Skuka ndryshoi dinamikën e lojës”/ Shehi pas fitores me Teutën: Duhet edhe pak kohë për Partizanin e vërtetë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 16, 2024 | 8:13

“Hadroj super, Skuka ndryshoi dinamikën e lojës”/ Shehi pas fitores me Teutën: Duhet edhe pak kohë për Partizanin e vërtetë

Orges Shehi e nisi me fitore aventurën e tij në Kategorinë Superiore si trajner i Partizanit. Falë një penalltie të shënuar nga Cara, skuadra u kthye të fitorja pas shtatë barazimesh radhazi në kampionat.

SHEHI

Pas ndeshjes trajneri foli për mediat, ku tregoi rreth përballjes me Teutën, por edhe lëvizjeve taktike, siç ishte shndërrimi i Hadrojt herë pas here në një sulmues krahu. Durrsaku foli edhe për Skukën, që sipas tij, i dha një tjetër dinamikë lojës me aktivizimin e tij në minutat e fundit. Shehi sqaroi edhe dëmtimin e Maget Gueje, i cili kërkoi zëvendësim gjatë ndeshjes me Teutën, ku ishte një nga më të mirët.

E nisni me një fitore ndaj Teutës. Si ju duket kjo ndeshje dhe a mund të bënit më mirë?

Fitorja mbetet fitore. Është ndeshja ime e parë, kam pak ditë me skuadrën dhe kërkonim ta nisnim me këmbën e mbarë. Përveç kësaj, edhe lojtarët ishin shumë të motivuar për të dalë fitues për shkak të rezultateve jo të mira në ndeshjet e fundit. Këtë e vura re që në nxehjen para ndeshjes, me karikimim e madh që lojtarët kishin. Kërkonin me patjetër të ktheheshin te fitorja. Është një rezultat që na jep pak më shumë qartësi dhe besim. Pas këtij rezultati, edhe puna bëhet më e qetë dhe lojtarët nisin të qartësohen më shumë. Ky triumf iku, tashmë mendojmë për vazhdimësinë.

A i zbatoi skuadra të gjitha direktivat që ju i kishit dhënë? Shkoi gjithçka sipas planit?

Gjatë lojës ne edhe mund të ndryshojmë. Mund të këmbejmë pozicione të lojtarëve për të marrë gjerësi dhe thellësi. Na mbetet shumë punë për të bërë në konfigurimin e lojës, sepse po ta kishim, do të kishim më të qartë dhe më të lehtë manovrën. Sigurisht që mund të bënim më mirë, por kjo kërkon pak kohë. E rëndësishme është që këta djem kanë uri dhe energji, sepse janë të rinj. Që të vëmë në funksion këto veçori të tyre, duhet të fusim në lojë edhe logjikën dhe durimin, që të dalim më rrjedhshëm. Por, të mos harrojmë se Teuta është kundërshtar i vështirë. Gjithnjë t’i komplikon situatat, sidomos kur e kemi ne topin në këmbë.

Hadroj u duk shumë më i avancuar në këtë ndeshje. Është kjo një taktikë e zgjedhur nga ju?

Ne ia kemi kërkuar Hadrojt këtë edhe në ndeshjen e pjesën e pasme fundit miqësore në Turqi. Nga ndeshja në ndeshje edhe mund të ndryshojmë lëvizjet e tij, por vendosëm kështu në këtë ndeshje prej kapacitetit që ai ka. Mendoj se Hadroj është një lojtar i nivelit të lartë dhe shumë shpejt mund ta shohim diku jashtë Shqipërisë. Ne kërkojmë ta kemi pjesëmarrës edhe në sulm, përveç aspektit mbrojtës.

Maget kërkoi ndërrim të detyruar ndaj Teutës. Ka paraqitur diçka serioze?

Jo, jo. Sapo u futa në dhomën e zhveshjes pas ndeshjes, rreth Magetit ishte informacioni i parë që mora. frika. Dje humbëm Kekon vetëm për shkak të një gërvishtjeje në të këmbës prej këpucëve. Fatmirësisht, diçka kalimtare.

Sa ndihmon rikthimi i Skukës dhe çfarë entuziazmi i jep ekipit?

Ju e patë kur u fut në fushë ndaj Teutës, që krijoi një dinamikë ndryshe të lojës. Është lojtar me vlera të mëdha. E kam thënë edhe para ndeshjes se ai ka nevojë për pak ditë pritjeje nga ana jonë, derisa të marrë gjendjen optimale. Jemi të sigurtw se më pas do të na ndihmojë shumë. Vjen nga një ligë tjetër, ka shumë cilësi dhe nëse do të kapë sa më shpejt ritmin, do të na ndihmojë shumë. Do të mundohemi ta alternojmë me stërvitje dhe ndeshje.

Sa të vështirë e bën vendosjen e 11-shes fakti që keni sulmues si Skuka, por edhe Mba e Bintsuka?

Po na shtohet edhe Keko. Vjen edhe Mehmeti. Duke pasur shumë lojtarë, vështirësi ka, por është diçka shumë e mirë të kesh mundësi zgjedhjeje. Kur ke lojtarë me bollëk, është më e lehtë. Shpresoj që të kthehen sa më shpejt të dëmtuarit dhe më pas në bazë të lojtarëve mund të ndryshojmë edhe manovrën, për tu përshtatur.

Para se të vinit, te Partizani ka pasur dëmtime me shumicë. Me ardhjen tuaj, a keni bërë ndonjë ndryshim që kjo të mos përsëritet?

Në fakt ka qenë edhe diçka fatkeqe, sepse disa dëmtime kanë qenë edhe mekanike. Shpresojmë që fati i keq i kohëve të fundit të na kthehet në favor. Por ne kërkojmë ta shmangim edhe në stërvitje. E dimë se stërvitemi në bar sintetik, të gjithë skuadrat në këto fusha stërviten. Falë Zotit, na ka shkuar mirë faza dhe nuk kemi pasur dëmtime lojtarësh. Të vazhdojmë me këtë intensitet, pa e ulur ritmin.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"