“Hadroj ishte jashtë forme”, Starova kritikon ashpër Partizanin: Zekiç të reagojë, po bien kambanat e alarmit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 26, 2023 | 21:05

“Hadroj ishte jashtë forme”, Starova kritikon ashpër Partizanin: Zekiç të reagojë, po bien kambanat e alarmit

Ish-trajneri i Partizanit, Sulejman Starova, ka qenë shumë kritik për mënyrën se si luajti skuadra e kuqe në Andorrë. “Bobi” e ka më tepër me menaxhimin që po i bën ekipit trajneri Zoran Zekiç. Ai theksoi se mbrojtësi i krahut të djathtë, Andi Hadroj, është jashtë forme.

Starova-470x313

“Pamë një ngutje dhe tension te Partizani, që kërkon një përgjigje pse ndodhi. Një Partizan që prodhon nxitim dhe zgjedhje të gabuara të lojës. Pas golit, që erdhi si dhuratë nga portieri, ekipi filloi me një qetësi të tepërt për të menaxhuar rezultatin. Këtë, nuk më vjen mirë që e them, por kanë nisur të bien kambanat e alarmit për Partizanin. Koha nuk pret, ndërsa objektivi është shumë i rëndësishëm për t’u kaluar.

Kjo mënyrë loje shqetëson, por të shpresojmë se do të na japin përgjigjen e duhur në ndeshjen e kthimit ndaj një kundërshtari modest siç është Atletik Eskaldes. Më bëri përshtypje Hadroj, i cili ishte jashtë forme dhe insistonte të futej nga qendra, në një kohë që gjithë ndeshjes bëri vetëm një krosim nga krahu i tij. Edhe Atanaskoski po ashtu, bëri shumë pak dalje në sulm. Gjithashtu Sota nuk bëri mirë në pjesën e dytë”, deklaroi Starova për “MCN TV”.

KOMUNIKIMI – Për Starovën, një problem i madh është mungesa e komunikimit gjatë ndeshjes dhe fakti që trajneri kroat pranon situata, të cilat nuk mund të përtypen. “Situata është që duhet arritur objektivi dhe nuk duhet diskutuar kalimi i këtij turi, për më tepër që edhe shorti është i mirë në vijim. Problemi është që të gjithë duhet të japin rendimentin e duhur. Kam rezervat e mia për Zekiçin.

Nëse do të isha në vendin e tij dhe nuk do të më pëlqente diçka në mënyrë të vazhdueshme te skuadra, do të reagoja direkt edhe në komunikim me lojtarët. Mirëpo, nuk e pashë Zekiçin të bënte diçka të tillë dhe dukej sikur ai pajtohej me ato veprime të skuadrës. Po ju marr si shembull Hadrojin, i cili insistonte në zona të rrëmujshme, edhe pse e shikonte që nuk mund të çante, pasi ishte i markuar. Pashë që trajneri nuk reagoi as për këtë rast.

Me gjithë respektin që kam për Zekiçin, pasi ka një CV shumë të mirë, por realiteti është që, nuk e pashë dorën e tij në këtë ndeshje. Në të tilla situata, trajneri mund të bëhet edhe nervoz, por përtej kësaj, të paktën e shfaq preokupimin për të rregulluar lojën. Disa gjëra ke mundësi t’i drejtosh edhe gjatë lojës. Më bëri shumë përshtypje loja me topa të gjatë në mënyrë të pakuptimtë gjatë pjesës së parë. Kjo është diçka ku trajneri menjëherë ndërhyn, pasi goli nuk mund të bëhet me zor. Vërtet insistimi mund të tregojë se kanë shpirt gare, por lojtarët nuk kanë pse dalin nga detyrat në atë mënyrë. Ekipi duhet të ishte më i qetë”, ka përfunduar ish-trajneri i kuq.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"