Gyndoan frymëzon Barçën, lojtari që krijon më shumë raste në Europë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 27, 2024 | 23:50

Gyndoan frymëzon Barçën, lojtari që krijon më shumë raste në Europë

Ilkaj Gyndoan mbërriti në Barcelonë verën e kaluar, por përshtatja dhe performanca e tij e kanë bërë atë një nga emrat më të rëndësishëm të ekipit të Ksavit. Ai zbarkoi në Barcelonë duke premtuar cilësi, lidership dhe përvojë.

gyndogan

Të gjithë po shihnin se si do të ishte përshtatja e tij me lojën e Barçës por dhe të vetë kampionatit spanjoll. Tashmë kur sezoni ka hyrë në fazën e vet vendimtare, nuk ka mëdyshje se rendimenti i gjermanit ka qenë i shkëlqyer.

Ai ka rezultuar një afrim i goditur nga Laporta. Performanca e tij është madje e papritur, mes pesë kampionateve më të rëndësishëm në Europë, Ilkaj Gyndoan është lojtari që ka krijuar më shumë raste, 100 të tillë.

Të shtunën e kaluar ai u bë lojtari i vetëm në skuadër që ka luajtur në çdo ndeshje të La Ligë. Nga 26 ndeshje, ai ka startuar në 23 prej tyre, teksa në tri raste e ka nisur nga stoli. Gyndogan është lojtari i vetëm i Barcelonës në top-10 të këtij klasifikimi.

Në vendin e dytë, gjejmë Bruno Fernandesh, ylli portugez i Mançester Junajtidit, i cili është vetëm katër raste larg arritjes së shifrës 100. Ndër dhjetë më të mirët, tetë janë futbollistë që luajnë në Premier Ligë dhe dy janë nga La Liga.

Në këtë grup të përzgjedhur është edhe Isko me 78 raste të krijuara. Po të shohim vetëm Barcelonën, lojtari i dytë i Barcelonës që gjejmë në këtë renditje është Zhoao Kanselo me 37 aksione të rrezikshme, dhe podiumin blaugrana e plotësojnë Pedri dhe Rafinja me nga 35 raste secili. Ferran Torres dhe Lamine Jamal kanë krijuar nga 30 mundësi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"