Gvozdenoviç largohet nga Kukësi, ja kush projektohet të jetë zv.trajneri i ri te Kukësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 29, 2017 | 22:54

Gvozdenoviç largohet nga Kukësi, ja kush projektohet të jetë zv.trajneri i ri te Kukësi

Pas Mladen Milinkoviçit, nga Kukësi tashmë është larguar edhe zv.trajneri Ivan Gvozdenoviç. Nga burime të sigurta pranë ishmbrojtësit serb, “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se 39-vjeçari ka arritur akordin në Jordani me skuadrën e Al-Faisaly Aman, e cila renditet në vendin e 4-t në kampionat me 19 pikë në 11 takime.

Pas dy eksperiencave si zv.trajner te Tirana dhe te Kukësi, Gvozdenoviçit i është besuar posti i trajnerit të parë te skuadra jordaneze. Al-Faisaly është duke kaluar një formë të shkëlqyer në kampionat me 3 fitore në 3 ndeshjet e fundit, ku do të luftojë fuqishëm për fitimin e titullit kampion. Gvozdenoviç ishte i besuari i presidentit Gjici, i cili e kishte nisur që prej mesit të dhjetorit në Serbi për të studiuar dhe zgjedhur disa lojtarë që i nevojiteshin Kukësit.

gvozdenovic

Ai përzgjodhi dhe solli te Kukësi Filip Osman, ku mesfushori u pëlqye nga ish-trajneri Milinkoviç dhe u aprovua për të qenë pjesë e ekipit. Gjithashtu, Gvozdenoviç udhëtoi në Serbi, Bosnjë e Kroaci, ku zhvilloi disa takime me disa lojtarë, si Jakovljeviç, Abradoviç dhe Murimir, të cilët ia propozoi presidentit Gjici, por ky i fundit nuk pranoi për shkak rrogave të larta që ata kërkonin. Tani mbetet që kontaktet e krijuara nga Gvozdenoviç t’i vijojnë drejtuesit e klubit, por kjo varet edhe nga trajneri i ri, i cili mbetet ende i papërcaktuar.

RRAMAN HALLAÇI – Ishkapiteni i Kukësit, Rraman Hallaçi, ka marrë disa propozime nga drejtuesit e klubit, që kanë lidhje me të ardhmen e tij. Dëshira e drejtuesve është që kapiteni i tyre të mbetet në klub, pastaj për rolin që do bëjë, ka pak rëndësi. Por, si shumë enigma të tjera do të zbardhet dhe e ardhmja e Hallaçit, mbas emërimit të trajnerit të ri.

hallaci

Nëse ai do dëshirojë, mund ta ketë si ndihmës të tij Hallaçin, tashmë që dhe Gvozdenoviç është larguar. Sakaq, dëshira e kapitenit është që të qëndrojë në fushë deri në fund të sezonit, ashtu siç është dhe kontrata, e më pas të ingranohet në stafin teknik. Por, çdo gjë do varet nga trajneri i ri dhe natyrisht nga presidenti Gjici, i cili do të vendosë për rolin e 34-vjeçarit. Një gjë është e sigurt, që Hallaçi do jetë pjesë e Kukësit si lojtar ose pjesë e stafit teknik.

S.Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"