Grushtet në Kamzë, replikon Llazani: Sherri filloi me regji të elbasanasve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 20, 2021 | 23:00

Grushtet në Kamzë, replikon Llazani: Sherri filloi me regji të elbasanasve

Vijojnë replikat pas sherrit në ndeshjen e Kategorisë së Parë në basketboll për meshkuj ndërmjet Kamzës dhe Elbasanit. Palestra e Bathores u kthye në arenë boksi, teksa lojtari elbasanas, Bruno Skëndaj, humbi ndjenjat pasi u godit me grusht nga amerikani i Kamzës, Marcanvis Hymon.

eni llazani

Trajneri i Elbasanit, Banush Sinani dy ditë më parë kishte mohuar se lojtarët e tij kishin përdorur sharje raciste, ashtu sikurse ishte shprehur trajneri i Kamzës, Eni Llazani, duke e quajtur këtë të fundit gënjeshtar. E menjëhershme ka qenë edhe përgjigja e Llazanit, i cili konfirmon gjithçka kishte deklaruar më parë, ndërsa thekson se ishte skuadra e Elbasanit fajtore për atë që ndodhi në parket. Eni Llazani me anë të një deklarate për gazetën “Panorama Sport” i përgjigjet trajnerit Sinani dhe jep detaje mbi sherrin ndërmjet dy skuadrave.

DEKLARATA

“Në karrierën time sportive, si lojtar dhe si trajner, numëroj vetëm heshtje ndaj sulmeve dhe komenteve mbi personalitetin tim apo lidhjeve të mia familjare, por kurrsesi nuk mund të pranoj të akuzohem për gënjeshtra, aspak të hijshme për karakterin tim. Ndaj, si drejtues i shoqatës Kamza Basket dhe trajneri i ekipit të parë, fatmirësisht, flas me fakte. Edhe pse ekip i Kategorisë së Parë, ndryshe nga disa ekipe të Superligës, Kamza Basket të gjitha ndeshjet që ka zhvilluar gjatë edicionit 2020-‘21, i ka transmetuar ‘live’ në kanalin e saj ‘Youtube’.

Për këtë arsye, faktet flasin vete dhe videot kanë regjistruar çdo incident të ndodhur, veçanërisht në ndeshjen në Elbasan nga ku dhe filloi dhuna verbale dhe fizike e lojtareve të Elbasanit kundrejt atyre të Kamzës. Ky incident solli dhe vazhdimin e serisë së dytë të kësaj telenovele, me regji po të ekipit të Elbasanit, të njëjtët lojtarë të përfshirë dhe të njëjtat ofendime raciste. Jam tepër i indinjuar për situatën, ndaj dhe i jam drejtuar Komisionit të Disiplinës, së pari duke kërkuar ndjesë në emër të ekipit Kamza Basket, për këtë ngjarje aspak sportive, duke dënuar sjelljet antisportive që nuk kishin aspak lidhje me garën, por njëkohësisht i kam dhënë mundësinë komisionit, nëse e shohin të arsyeshme, të shohin dhe pamjet filmike të ndeshjes në Elbasan për të plotësuar panoramën e ngjarjes.

Lidhur me akuzat që kam marrë si biri i sekretarit të përgjithshëm, gjë për të cilën nuk jam shprehur dhe as kam reaguar në asnjë formë, si kur jam akuzuar drejtpërsëdrejti ashtu edhe kur e kanë sulmuar atë personalisht, dua të them që përveç krenarisë personale, kam po ashtu dhe krenari profesionale, për emrin dinjitoz që im atë ka në sportin e basketbollit, duan apo nuk duan ta vlerësojnë. Vazhdoj të theksoj, se këto janë sjellje të stisura thjesht për të rrëzuar punën serioze të ngritur përgjatë këtij sezoni, statistikat e të cilës flasin vetë. Këto nuk i shërbejnë aspak sportit, madje e drejtojnë atë në kanale të errëta mediokriteti, për të kënaqur të pakënaqurit.

Kamza Basket, pavarësisht çfarë ndodhi, i ka përmbushur të gjitha detyrimet po ashtu edhe objektivat e saj, duke shënuar vetëm fitore, madje dhe në Kupë ka patur një paraqitje mjaft dinjitoze, për të cilën ne krenohemi. Kemi qenë kompetitivë dhe kemi investuar sikur të merrnim pjesë në Superligë, me gjithë sulmet e vazhdueshme nga persona të ndryshëm të komunitetit të basketbollit për lidhjet familjare. U bëj një thirrje, të gjithë atyre që i mungon trashëgimia sportive në familje, të mirëkuptojnë çdo të thotë të rritesh dhe të formohesh me basketboll që në fëmijëri”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"