Goleadë e Kukësit ndaj kuçovarëve, dëmtohet portieri Halili

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2013 | 12:17

Goleadë e Kukësit ndaj kuçovarëve, dëmtohet portieri Halili

Kukesi-Naftetari 5-0KUKËSI – NAFTËTARI  5-0
GOLAT: Y.Hoxha 15′, Progni 16′, Jonuzi 72′, Cikalleshi 73′, Bytyçi 90′
KUKËSI: Koçi, Smajli, Shameti, Malakarne (Malota 46′), Marku, Bratiç, Musolli (Muçmata 67′), Jonuzi, Progni (Cikalleshi 46′), Hoxha, Bytyçi. Trajner: Naxhi Shensoji
NAFTËTARI: Kora, Çela, Gega, Çekrezi, E.Kajo, Marini, Kopaçe, Koroveshi (Qyli 70′), Er.Alushi (Xh.Kajo 80′), R.Alushi (Pepa 70′), Zylyftari. Trajner: A.Kanani
GJYQTARË: K.Kola, R.Malaj, E.Pulaj (Vlorë)
KARTON I VERDHË: Er.Alushi 40′
DELEGAT: Besnik Çela (Tiranë)
VËZHGUES: Sokol Jareci (Tiranë)

Goleadë e Kukësit dhe shkëlqim i të rinjve Jonuzi, Bytyçi e Muçmata, por pa përjashtuar këtu Markun. Skuadra verilindore ka likuiduar Naftëtarin me rezultatin e thellë 5- 0, në një ndeshje ku dominoi totalisht. Takimi i luajtur në kompleksin “Dinamo” ishte i lehtë për ekipin e Shensojit, që tashmë pas kualifikimit për në turin e dytë do të ketë si kundërshtar Apoloninë.
Problemi – Përpara se të niste ndeshja, gjatë nxehjes u dëmtua portieri Argent Halili. Dita e djeshme ka qenë e pafat për vlonjatin, i cili gjatë ushtrimeve me përgatitësin e portierëve, Dashamir Gëzdari, u dëmtua në gjurin e djathtë. Dhimbja ka qenë e madhe për portierin, teksa menjëherë mjekët Pertef e Perli Rusi i kanë ardhur në ndihmë. Këta të fundit konfirmuan për “Panorama Sport” se sot do të bëhet ekzaminimi për të parë shkallën e dëmtimit. Halili mendohet se do të mungojë ndaj Tiranës, por shpresohet që dëmtimi i tij të mos jetë serioz. Golat – Ndeshja e djeshme përkoi me ditëlindjen e kapitenit Gerhard Progni. 27- vjeçari, pasi ka marrë urimet e shokëve dhe stafit, ka arritur të shënojë, por në fundin e pjesës së parë ka humbur edhe një 11- metërsh. Golin e avantazhit e realizoi Hoxha, pas një goditjeje brenda zonës. Nuk kalojnë shumë minuta dhe Progni dyfishon shifrat. Pjesa e parë u mbyll 2-0 për Kukësin. Në fillimin e pjesës së dytë, pas një inkursioni në afërsi të zonës, mesfushori Fjoart Jonuzi realizoi golin e tretë. Paraqitja e tij ishte mbresëlënëse, pasi i riu dha edhe asistin e golit të katërt, që u shënua mjeshtërisht nga Cikalleshi. Në fund, pas shumë përpjekjesh, realizoi edhe sulmuesi Bytyçi, i cili gjatë gjithë ndeshjes lëvizi shumë. Naftëtari gjuajti vetëm dy herë portën e Kocit, teksa në një rast tronditi traversën. Gjithsesi, mbrojtja me në krye Shametin neutralizuan çdo përpjekje të miqve.

Deklarata e Shensojit
“Në këtë takim për ne ishte e rëndësishme të shihnim të rinjtë Bytyçi e Jonuzi, por edhe Muçmatën, i cili përpara ndeshjes kishte bërë stërvitje të rregullt me grupin e lojtarëve që nuk u aktivizuan. Unë asnjëherë nuk jam i kënaqur, por nuk them se jemi duke bërë keq. Kemi luajtur një pjesë të parë të mirë, kurse në të dytën jo dhe aq mirë. Shpresoj që dëmtimi i Halilit të mos jetë i rëndë”, – është shprehur pas ndeshjes trajneri i Kukësit.
JONUZ HALLAÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"