Gol identik si i Allmuçës 6 vite më parë, Çota: Rastësi e bukur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 12, 2017 | 19:13

Gol identik si i Allmuçës 6 vite më parë, Çota: Rastësi e bukur

Dinamo siguroi tri pikë të arta në përballjen e së dielës kundër Besës së Kavajës me një euro gol të shënuar nga sulmuesi Mirel Çota. Në një prononcim për “Panorama Sport”, vetë sulmuesi shprehet mjaft i kënaqur për pikët, por dhe për golin, të cilin me një ngjashmëri identike e ka realizuar dhe trajneri i Dinamos Igli Allmuça në sezonin 2010-2011, në ndeshjen Peqini-Dinamo, për llogari të çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë, kur ai ishte futbollist në radhët e bluve.

Cota

“Jam shumë i kënaqur që, së pari, morëm tre pikët, të cilat na duheshin me patjetër dhe janë mjaft të vlefshme për ne, pastaj për golin e shënuar. Ishte një gol realisht i bukur, por ne si sulmues këtë detyrë kemi, të shënojmë, por kur merr tri pikët dhe aq më tepër me një gol të tillë, kënaqësia është dyfish. Shumë veta më kanë thënë që një gol të tillë e ka realizuar dhe trajneri jonë Igli Allmuca kur luante futboll, e pashë, janë thuajse identik, koincidencë e bukur”, ka thënë sulmuesi që ka një eksperiencë të gjatë në futbollin shqiptar, si në Kategorinë Superiore, ashtu edhe në atë të parë.

Objektivat – Por, pavarë- sisht atij goli, Çota është shprehur se skuadra duhet të mendojë për ndeshjen e radhës ndaj Erzenit, e cila është shumë e vështirë duke parë përgatitjen që ka ekipi shijakas. “U ndjeva mjaft mirë për golin dhe për fitoren që, dhe pse e ngushtë, na shijoi shumë. Gjithsesi ne qëndrojmë me ‘këmbë në tokë’, duhet të punojmë shumë, pasi këtë javë luajmë në Shijak, e na pret një ndeshje e vështirë.

mirel cota

Shpresoj që të vazhdojmë me këtë ritëm, pasi na nevojiten sa më shumë pikë, në mënyrë që të arrijmë objektivat. Jam i bindur te forca jonë si ekip, pa harruar dhe moralin që e kemi të lartë. Shpresoj dhe uroj që të vijojmë me këtë rrugë dhe me këtë dëshirë dhe vullnet të arrijmë rezultatet e duhura për të realizuar objektivat”, ka mbyllur Çota.

Përgatitjet – Nën drejtimin e trajnerit Allmuça, Dinamo ka vazhduar me përgatitjet për ndeshjen e radhës. Trajneri ka kërkuar nga futbollistët impenjim maksimal për të mos hedhur më hapa fals, pasi mund të kushtojnë shumë në të ardhmen. Sa i takon ekipit, atmosfera është mjaft e mirë dhe drejtuesit kanë premtuar mbështetjen e tyre.

S. Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"