Gjyshërit iu vranë nga sulmet ruse, ndërsa ukrainasi Napadailo po ndjek ëndrrën e hendbollit te Prishtina

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 2, 2024 | 9:00

Gjyshërit iu vranë nga sulmet ruse, ndërsa ukrainasi Napadailo po ndjek ëndrrën e hendbollit te Prishtina

Ka gati katër muaj në Kosovë dhe për herë të parë po luan në një ekip jashtë Ukrainës. Hendbollistin 22-vjeçar, Vladyslav Napadailo, rrugët e jetës e sollën në Prishtinë. Ai thotë se është përshtatur shumë mirë te KH Prishtina dhe në kryeqytetin kosovar.

0

Napadailo është një prej disa lojtarëve të huaj në klubin e hendbollit Prishtina. Është megjithatë ukrainasi i vetëm në hendbollin kosovar e me shumë mundësi në gjithë sportin e Kosovës aktualisht.

22-vjeçari mbulon shumë pozita te Prishtina dhe është njëri prej lojtarëve të dalluar në ekip.

Stinorin vjeshtor, Prishtina e ka përfunduar e pesta në tabelë kurse Napadailo ka shënuar 72 gola në 14 paraqitje në elitën e hendbollit kosovar.

Napadilo është pjesë e Prishtinës prej fillimit të edicionit, ndërsa thotë se vendimi për të ardhur të luaj në Kosovë erdhi në mënyrë spontane. Ai ishte larguar nga Ukraina në muajin korrik dhe kishte qëndruar në Poloni, Letoni, Finlandë e Lituani, përpara se të vinte në Kosovë për t’iu bashkuar ekipit të Prishtinës.

“Me disa shokë i gjetëm disa kontakte me klubin dhe presidentin e Prishtinës dhe ai më ftoi për të ardhur në Kosovë që të qëndroj, të luaj dhe ta ndihmoj ekipin. Kështu që ishte një ofertë e mirë për mua dhe nuk hezitova aspak ta pranoj. Tani jam këtu në Kosovë, pjesë e Prishtinës dhe po ndihem shumë mirë”, ka thënë Napadailo në një bisedë për KOHËN.

riu nga regjioni i Zaporozhyas nuk është pishman për vendimin që të bashkohet me skuadrën kosovare. Thotë se i pëlqen Kosova, se po ndihet mirë dhe se është pritur në mënyrën më të mirë të mundshme nga të gjithë në klub. Tregon se nuk ka pasur njohuri të mëdha për Kosovën apo për hendbollin kosovar. Vlerëson se Superliga është shumë cilësore, me ekipe të forta.

“Është hera ime e parë këtu, por me të vërtetë po më pëlqen shumë. Është një shtet i vogël, por shumë i bukur. Po ashtu më duhet të pranoj se nuk kam pasur shumë njohur as për hendbollin këtu por çdo ndeshje është një betejë e vërtetë dhe asnjë ekip nuk dorëzohet deri në sekondën e fundit”, shprehet Napadailo.

Ukrainasi tregon se prejse ka ardhur te Prishtina e ka përmirësuar dukshëm edhe komunikimin në gjuhën angleze, falë bashkëlojtarëve të tij që e përkrahin dhe e ndihmojnë vazhdimisht. Thotë se komunikimin në gjuhën angleze para se të vinte këtu e ka pasur të dobët, por tani nuk e ka problem të flas e të kuptoj anglisht. Napadailo thekson se gjithçka po shkon si është më miri, përfshirë këtu edhe aspektin sportiv.

 Krenar me përkrahjen e Kosovës për Ukrainën

 Flamuri gjigand i Ukrainës i vënë në Hotelin Grand në qendër të Prishtinës, me fjalinë “Free Ukraine”, është njëra prej gjërave të para që Napadailo e ka parë kur erdhi në Kosovë. Ai ndihet krenar me shtetin e tij dhe është falënderues ndaj Kosovës dhe popullit të saj që vazhdimisht tregojnë përkrahjen për Ukraina. Rusia në muajin shkurt të vitit të kaluar nisi pushtimin e Ukrainës dhe lufta po vazhdon ende. Pikërisht për shkak të luftës Napadailo është larguar nga Ukraina.

1

“Njerëzit këtu kur e marrin vesh se jam nga Ukraina fillojnë të tregojnë përkrahjen e tyre për shtetin tim, duke mu drejtuar me fjalët ‘Lavdi Ukrainës’. Më bëjnë të ndihem shumë mirë dhe unë menjëherë iu përgjigjem ‘Lavdi heronjve’. Po ashtu në qendër të qytetit e kam parë posterin ku shkruan ‘Liri për Ukrainën’ dhe për mua si ukrainas kjo do të thotë shumë. Ndihem mirë pasi e ndjej përkrahjen e madhe të popullit kosovar ndaj Ukrainës dhe për këtë jam falënderues i madh”, thotë Napadailo.

Edhe pse është në Kosovë, Napadilo e ka mendjen në Ukrainë, te familja e tij që gjendet atje. Ai thotë se çdo ditë është në kontakt me familjarët dhe se mundohet t’iu ndihmoj në çdo aspekt, përfshirë edhe atë financiar.

Napadailo është nga Zaporozhya, njëri prej qyteteve më të dëmtuar dhe më të goditur nga sulmet e Rusisë.

Thotë se qyteti i tij vazhdimisht sulmohet me raketa dhe dronë, ndërsa ka shumë viktima të pafajshme. Në mesin e këtyre viktimave ishin edhe gjyshi e gjyshja e hendbollistit.

“Kur kam qenë në Ukrainë sulmet ruse pothuajse nuk ndaleshin fare. Zakonisht i bënin gjatë natës, ndërsa edhe tani situata është e njëjtë. E di këtë për shkak se tërë kohën jam në kontakt me familjen time. Atje me kanë mbetur babai, nëna, vëllai i vogël dhe shumë të afërm tjerë. Rusia nuk mendon fare për faktin se po vret shumë civilë që nuk kanë asnjë faj, ndërsa këto sulme kanë prekur edhe familjen time. Më 14 gusht i kam humbur gjyshërit. Një raketë ruse ka qëlluar shtëpinë e tyre derisa ata ishin fjetur, pasi sulmi ka ndodhur pas mesnatës”, tregon Napadailo.

Ai shpreson që lufta të marrë fund sa më shpejt, në mënyrë që situata të normalizohet dhe njerëzit gradualisht t’i kthehen jetës normale në Ukrainë, ndonëse thotë se një gjë e tillë është tejet e vështirë.

Pas sulmeve të para ruse në fillim të vitit të shkuar, Napadilo tregon se sporti ishte ndërprerë tërësisht. Për shkak të kësaj është dashur ti mbajë dy vende pune për ta ndihmuar familjen.

“Është vështirë të përgjigjem në këtë pyetje sepse nuk e kuptoj aspak këtë situatë, por shpresoj që lufta sa më shpejt të marrë fund. Jam shumë i shqetësuar për familjen time dhe të tjerët që janë në Ukrainë. Nganjëherë e kam të vështirë ta kuptoj se pse nuk mundem t’iu ndihmoj në çfarëdo mënyrë. E them këtë pasi kam shikuar për mundësinë që t’i ndihmoj financiarisht dhe besoj se do ta gjej një mënyrë edhe pse këtu mendojnë se një gjë e tillë është e pamundur”.

 Synimet e ukrainasit me Prishtinën

Edhe pse vazhdimisht ka në mendje familjen e tij, Napadailo është i vendosur për ta ndihmuar Prishtinën në arritjen e objektivave këtë edicion. Ai nuk e përjashton mundësinë që të jetë pjesë e Prishtinës edhe edicionin e ardhshëm, pasi thotë se dëshiron të luaj në kupat evropiane. Napadailo thotë se paraqitja me fanellën e Prishtinës në Evropë do të ishte mundësi e mirë për t’iu dëshmuar të gjithëve se edhe ukrainasit mund të luajnë hendboll.

“Kam dy synime me fanellën e Prishtinës. I pari është ta ndihmoj ekipin të luftoj për trofe, sepse kjo na mundëson që të paraqitemi në kupat evropiane edicionin tjetër dhe do të ishte mundësi e mirë ta tregojmë veten edhe në këtë nivel. Ndërsa synimi i dytë është t’u dëshmoj të gjithëve se edhe ukrainasit mund të luajnë hendboll, ndonëse ky sport nuk është i zhvilluar në Ukrainë sikurse në Evropë”, shprehet Napadailo.

Ai ka filluar të merret me hendboll para një dekade në qytetin e lindjes. Ka luajtur në nivelin profesional të Ukrainës për disa ekipe, ndërsa Prishtina dhe hendbolli kosovar janë aventura e parë jashtë Ukrainës.

“Para dhjetë vjetësh kam nisur me hendboll në Zaporozhye, ndërsa ekipi im i parë profesional ishte Zntu-Zab. Pastaj kam luajtur për tri vjet tek Odesa dhe edicionin e shkuar kam luajtur në Kiev, ku isha pjesë e ekipit CSKA”, tregon Napadailo.

Vlerëson se niveli i hendbollit në Kosovë është më i mirë, kurse thotë se në Ukrainë tashmë sa vjet dominon vetëm një skuadër.

Ardhja te KH Prishtina i ka mundësuar të jetë pjesë e një lige konkurruese. Thotë se kjo do të ndikoj edhe në zhvillimin e tij të mëtejmë si hendbollist. Shpreson që në një të ardhme të afërt të jetë pjesë e Bundesligës gjermane, e cila është liga më e fortë e hendbollit në Evropë.

Deri në verë në Kosovë, përkatësisht te Dukagjini i Klinës, ka luajtur futbollisti ukrainas Vladyslav Khomutov. Ai është larguar për në Gjeorgji.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"