“Gjyqtarët po abuzojnë me Flamurtarin”, rrëfehet Ardit Hoxhaj: Po respektojmë garën, për të ardhmen do të …

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 11, 2020 | 18:44

“Gjyqtarët po abuzojnë me Flamurtarin”, rrëfehet Ardit Hoxhaj: Po respektojmë garën, për të ardhmen do të …

Të gjithë kundër Flamurtarit. Kështu mendon Ardit Hoxhaj, por është kategorikisht i prerë në besnikërinë e tij, nuk do t’i hapet rrugë asnjërit deri në fund, ndërsa kërkon që Flamurtarit t’i jepet haku. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, Hoxhaj thotë se arbitrat po abuzojnë me Flamurtarin dhe po favorizojnë ekipet e tjera.

Hoxhaj66

Po ashtu flet edhe për kundërshtarët që u thonë përse luani. Sulmuesi është i kënaqur nga loja e ekipit dhe thekson se janë të gjitha mundësitë që të merren tri pikët në ndeshjen me Vllazninë. Hoxhaj zbulon se ka refuzuar disa oferta në janar për Flamurtarin. Thotë se nuk do ta tradhtojë Vlorën dhe nëse klubi do të ketë një projekt serioz do të qëndrojë, qoftë edhe në kategorinë e parë.

Ardit, çfarë ndodhi në Durrës, si e komentoni atë ndeshje?

Mendoj se ekipi ka disa javë që po shfaqet mirë në fushën e lojës. Futbollistët po shprehen mirë. Me federimin e lojtarëve brazilianë është rritur edhe konkurrenca. Po ashtu kemi edhe lojtarë në stol që mund të bëjmë ndonjë zëvendësim, pasi më parë nuk e kishim këtë mundësi.

Kur na ndodhte ndonjë dëmtim apo mungesa nga kartonët, nuk kishim alternativa. Jemi paraqitur mirë në këto ndeshjet e fundit. Takimin me Teutën e kishim vlerësuar maksimalisht dhe na eci mirë loja. Unë them se me rastet që kishim duhet ta kishim fituar atë takim.

Në ndeshjen me Teutën personalisht kishit raste, të cilat i humbët. Çfarë mendoni për to?

Në këtë ndeshje kam pasur disa raste për të shënuar gol. Megjithatë, mendoj se aty para portës është punë cilësie, por është edhe punë fati. Është edhe meritë e kundërshtarit që ka bërë një pritje të mirë në rastin e dytë. Doja të thosha që te traversa është punë fati që nuk vajti gol. Në atë rast mund të ishte gol, por për fat të keq kapi traversën. Po ashtu kisha edhe një rast në fillim dhe them se tek ai duhet të kisha vepruar më mirë.

Çfarë ju thonë arbitrat dhe si i shikoni vendimet e tyre kundrejt Flamurtarit?

Nuk më pëlqejnë fare sjelljet e arbitrave, pasi si Flamurtari, si Luftëtari, jemi dy ekipe që po e respektojmë garën në kampionatin shqiptar. Ata abuzojnë me ne. Na shikojnë si ekipe të rëna nga kategoria dhe që mos t’u prishim punë skuadrave të tjera, favorizojnë kundërshtarët. Ne po respektojmë garën dhe duam që të na jepet haku në fushë.

Si e vlerësoni faktin që lojtarët kundërshtarë ju thonë “Pse luani”?

Po, është e vërtetë që na thonë shumë kundërshtarë “Pse luani, pse luani, pse luani”. Gjithmonë kjo pyetje. Për këtë dua që të tregoj edhe një histori. Para ndeshjes me Teutën na kishin thënë që ndeshja do të luhej në orën 17:00, pastaj na u tha që do të luhej në orën 14:00. Unë kisha harruar t’u thosha familjarëve të mi që ndeshja ishte në orën 14:00 dhe kur kthehem në shtëpi pas takimit më pyeti gjyshi: “Ardit, hë si dolët?” “Barazim”, i thashë unë.

Ata ishin shumë të mërzitur pasi nuk e kishin parë ndeshjen, por unë u them: “Mos u mërzisni, pasi kemi ende ndeshje të tjera për të luajtur”. Ndërkohë, gjyshi më thotë: “Po mirë, unë për këtë jetoj gjithë javën dhe ti nuk më thua kur ke orarin e ndeshjes”.

Me këtë histori, dua të them që kur familja ime ka investuar që fëmijë të më shikojë në fushën e lojës, unë nuk mund të jem aty ndryshe, por do të jem 100% që ata të kënaqen me lojën time, pavarësisht se si del ndeshja. Kështu që, nuk kam për t’i hapur rrugë asnjërit në fushën e lojës. Do respektoj familjen time, fanellën e Flamurtarit, ekipin, qytetin e Vlorës, të gjithë.

Mund ta fitoni ndeshjen e së shtunës me Vllazninë?

Vllaznia ka një ekip shumë të mirë. Ka një ekip që mbrohet shumë mirë dhe dalin mirë në kundërsulm. Por mendoj se edhe ne i kemi të gjitha mundësitë që të fitojmë. Po ta vlerësojmë tamam ndeshjen, të shprehemi si duhet në fushën e lojës, pse jo, të mos e fitojmë.

Do të ishit gati të qëndronit te Flamurtari edhe në Kategorinë e Parë?

Të them të drejtën, kam pasur shumë kontakte që në merkaton e janarit. Më kanë bërë oferta dhe më kanë pyetur çfarë do të bëja për të ardhmen. Por, nuk më është dukur e hijshme që të largohem në këtë moment të vështirë nga ekipi. Edhe tani kam kontakte dhe më pyesin se çfarë do të bëj kur të përfundojë kampionati.

Të gjithëve u kam thënë se do ulem dhe do të bisedoj njëherë me drejtuesit e Flamurtarit se çfarë projekti kanë dhe pastaj do të vendos për të ardhmen. Nëse ka një projekt serioz, normalisht që do të qëndroj te Flamurtari.

ERMAL SIKA  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"