Gjirokastra në këmbë, Dalipi: Fiton Luftëtari dhe marrim kreun e renditjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 27, 2024 | 12:27

Gjirokastra në këmbë, Dalipi: Fiton Luftëtari dhe marrim kreun e renditjes

Luftëtari i Edmond Dalipit është gati për ndeshjen “finale” të sezonit kundër Pogradecit, që do të luhet sot në orën 15:00 në stadiumin “Gjirokastra”. Bluzinjtë u kanë dhënë dorën e fundit përgatitjeve, ndërsa mungesa e vetme në sfidën e sotme do të jetë ajo e mbrojtësit brazilian, Glauber Gomes Santos, i cili u ndëshkua me karton të kuq në takimin e fundit kundër Orikut.

dalipi luftetari

Luftëtari-Pogradeci do të transmetohet direkt edhe nga televizioni “MCN 24”, ndërsa në stadium pritet të ketë mijëra shikues. Klubi është organizuar si duhet që çdo gjë të shkojë mësë miri, ndërsa një numër i konsiderueshëm tifozësh priten edhe nga rrethet fqinje të Gjirokastrës, si Tepelena, Memaliaj, Përmeti, Këlcyra, Saranda dhe Delvina. Për “Panorama Sport” para sfidës ka folur trajneri Dalipi, i cili u shfaq optimist për një fitore që do ta çojë Luftëtarin drejt Kategorisë së Parë. Kujtojmë që diferenca mes bluzinjve dhe Pogradecit është një pikë dhe gjirokastritëve u intereson vetëm fitorja.

“Kampionatit po i vjen fundi dhe përballë do të kemi rivalin direkt për ngjitjen në Kategorinë e Parë. Jam optimist për fitoren, duke parë edhe energjitë pozitive që lojtarët kanë përcjellë në seancat stërvitore. Me mbështetjen e tifozëve, jam i bindur se do ia dalim me sukses”, ka thënë Dalipi, i cili foli më pas edhe për gjendjen e skuadrës. “Aktualisht gjendja e ekipit është e mirë. Futbollistët janë stërvitur me dëshirë dhe përveç mungesës së Glauber, të gjithë janë të gatshëm. Djemtë mezi e presin ndeshjen për të treguar se meritojnë të ngjiten në Kategorinë e Parë. Kjo është ndeshja që do të tregojë se cili është ekipi më i mirë”, përfundoi kreu i pankinës bluzi. Ndërkohë, në stërvitjen e fundit, skuadra u vizitua edhe nga kryebashkiaku Flamur Golemi, i cili ofroi mbështetjen maksimale për futbollistët, në një kohë që përmes rrjeteve sociale, ai bëri edhe një thirrje për tifozët që të përkrahin Luftëtarin.

TOMOR SHEHU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"