Gjici mban fjalën e dhënë, ja premio me të cilën motivon Kukësin para Luftëtarit

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Mars 13, 2018 | 21:30

Gjici mban fjalën e dhënë, ja premio me të cilën motivon Kukësin para Luftëtarit

Ecuria pozitive e Kukësit për fazën e tretë duket se do të shpërblehet. Pesë fitore të siguruara, dy barazime dhe vetëm një humbje u japin komoditetin e nevojshëm të besuarve të Peter Pakult që të ndeshen me moral të lartë përballë Luftëtarit. Dhe për të shtuar dozën e mobilizimit, ka menduar Safet Gjici, i cili do të mbajë fjalën e dhënë para Teutës. Duke qenë se ekipi fitoi, tashmë vjen radha për të shpërndarë paratë. Ishte drejtori sportiv, Nderim Nexhipi, që i deleguar prej presidentit, lajmëroi ekipin se ditën e sotme do të jepet shpërblimi.

kukesi

“Dhurata” prej 10 milionë lekësh të vjetër (shuma do të konfirmohet sot), vjen para transfertës në Gjirokastër, si stimul për këtë 90-minutësh jo fort të lehtë. Gjithashtu, drejtori Nexhipi u foli lojtarëve edhe për rrogat, pas nuk përjashtohet mundësia që të likuidohen para kohe, edhe pse te klubi verilindor pagesat lëvrohen pas datës 20 të çdo muaji. Por ka pasur raste, si para ndeshjes ndaj Partizanit, për shembull, ku me urdhër të kreut të klubit, ekipi është parapaguar.

Gjithsesi, dhe nëse ka rroga, me rast fitoreje ata do shpërblehen sërish. Gjici kërkon që ekipi të blindojë vendin e dytë me shkëputje dhe të avancojë më tej për të fituar Kupën e Shqipërisë. Për të siguruar këto objektiva, duket se po u krijon qetësi financiare lojtarëve. Rikthimet – Trajneri Peter Pakult, dhe pse ka pasur një ecuri mjaft pozitive me Kukësin, në çdo javë ka vuajtur prej mungesave të shumta. Është hera e parë që ai do të ketë grupin thuajse të plotë dhe kur themi thuajse, llogarisim Bujar Idrizin e ndëshkuar me karton të kuq kundër Teutës.

Por, për fatin e mirë të austriakut, këtë javë është zbrazur totalisht infermieria, pasi tani veç qendërmbrojtësit Albi Alla, është gati edhe Ylli Shameti. I pari u rikthye në formacion mbas 5 javëve mungesë, pas atij dëmtimi jo të lehtë në gju. Por duket se tërheqja e ligamentit është hedhur tashmë pas krahëve. Kapiteni, edhe pse mungonte për shkaqe kartonësh ndaj Teutës, ka sakrifikuar për disa takime, duke luajtur me dorë të thyer. Tashmë Shameti duket se e ka kaluar dëmtimin, pasi ka hequr edhe allçinë. Sakaq, pjesa tjetër është OK, ndaj tekniku do të udhëtojë më forca të plota në Gjirokastër për të siguruar fitoren e radhës.

SKERDILAID SULOZEQI






www.minuta90.com